Pas vetëm një sezoni të kaluar te Gjilani, Baton Zabërgja ra në radarin e disa klubeve të Kosovës dhe ato të Shqipërisë.
Pas shumë ofertave, sulmuesi 22-vjeçar vendosi që të kalojë te Dinamo, skuadër kjo që në fillim të sezonit ka bërë reforma të mëdha në klub.
Sulmuesi nga Vushtrria u zyrtarizua gjatë këtij muaji te Dinamo, teksa debutimin e tij e bëri gjatë fundjavës në derbin kundër Tiranës.
Zabërgja për Kanal10 deklaroi se është shumë i lumtur që është pjesë e Dinamos dhe se mikpritja ka qenë mjaft e ngrohtë nga bashkëlojtarët.
“Çdo fillim ka sakrifica, mirëpo mikpritja ka qenë aq e ngrohtë, që nga dita e parë kur ju bashkangjita ekipes në fazën përgatitore në Itali, më priten si në familje dhe natyrshëm u transformova shuë shpejt, si të isha me vite tek Dinamo City”, tha fillimisht Zabërgja.
22-vjeçari tutje tregoi edhe arsyet se pse vendosi që të bashkohej me skuadrën e Dinamos.
“Se çfarë më shtyri të kalojë në kampionatin Shqiptar, ishte oferta dhe vendimi i përbashkët me menaxherin Haris Fakic, ku pas katër viteve paraqitje në Superligën e Kosovës, një vit te Vushtrria, dy vite te Drenica dhe një vit tek Gjilani, besoj se koha ishte që të bëjmë hapa në një kampionat tjetër”, shtoi ai.
Baton Zabërgja për fund foli edhe për synimet që ka me Dinamon këtë edicion.
“Synimet e mia janë që Dinamon, që është skuadër e sapokthyer në Superiore, ta ngrisim në nivel sa më të lartë, aty edhe ku i takon si ekip tradicionalisht dhe të luftojmë për të fituar trofe dhe daljen në Europë”, përfundoi Zabërgja.
Sulmuesi nga Vushtrria më parë ka qenë pjesë e grupmoshave U21 të Kosovës dhe ka zhvilluar gjashtë paraqitje me “Dardanët” e rinj.