
Bashkimi Evropian po i vazhdon diskutimet për raportin e Kryediplomatit Josep Borrell për heqjen ose jo të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, të vëna vitin e kaluar.
Zëdhënësi i BE’së, Peter Stano, ka deklaruar se BE’ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdojnë t’i kërkojnë Kosovës që të përmbahet nga “hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar”.
“Diskutimet e shteteve anëtare të BE-së në Këshill për raportin e përfaqësuesit të lartë, për përmbushjen e kërkesave të BE-së nga Kosova janë duke vazhduar. Ato janë të brendshme dhe konfidenciale. BE-ja dhe shtetet e saj anëtare vazhdojnë t’u kërkojnë autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga hapat e njëanshëm dhe të pakoordinuar që mund të rrisin më tej tensionet, dhe ne presim që Kosova të adresojë dhe zgjidhë çështjet e hapura në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Stano për RTV21.
Në fillim të këtij muaji, Stano kishte paralajmëruar se këto masa mund të ashpërsohen. Deklarata e tij kishte ardhur pas mbylljes se degëve të Postës së Serbisë në veri dhe planit të Qeverisë për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e veturave.
“Në vend të hapave që do të çonin në uljen e tensioneve, janë ndërmarrë shumë e më shumë hapa dhe vendime të njëanshme që çojnë drejt përshkallëzimit. Atëbotë thamë që masat janë progresive, ato mund të ashpërsohen apo lehtësohen varësisht nga zhvillimi i situatës. Kjo pjesë prek pjesën e parë të pyetjes, se çfarë do të bëjmë [pas vendimeve të fundit të autoriteteve në Kosovë]. Pra, kemi masa në fuqi dhe këto masa mund të ashpërsohen nëse për një gjë të tillë pajtohen të gjithë akterët e BE-së”, tha Stano.
Cilat janë masat e BE-së ndaj Kosovës?
Masat e BE-së ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit).
Programi IPA, sipas Komisionit Evropian, është paraparë si “mënyrë përmes së cilës BE-ja përkrah reforma në ‘vendet në procesin e zgjerimit’ me ndihmë financiare dhe teknike”.
Kosova ka përfituar gjithsej 1.21 miliard euro nga ky program që nga viti 2007 deri në fund të vitit 2022. Ndërsa, nga programi Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor, Kosova ka përfituar rreth 1.8 miliard euro nga viti 2009 deri më 2021.
Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.
Masat ndaj Kosovë u vunë pas tensioneve në pjesën veriore të Kosovës vitin e kaluar në kohën kur kryetarët e zgjedhur shqiptarë në katër komunat në veri u dërguan me mbështetjen e policisë së Kosovës në zyrat e tyre. Të paktën 90 pjesëtarë të forcës paqeruajtëse të NATO-s u lënduan në një përplasje me protestues serbë.