
Bashkimi Evropian ka njoftuar planet për kufizimin e qasjes në rrjetet sociale për personat nën 15 vjeç në të gjitha shtetet anëtare, me synimin për të përmirësuar mirëqenien dhe për të trajtuar çështjet e sigurisë në internet.
Sipas planeve, do të zbatohej një qasje graduale ndaj përdorimit të rrjeteve sociale nga fëmijët, e cila do të përfshinte ndalimin e qasjes në platforma për fëmijët nën 13 vjeç.
Personat e moshës 13 deri në 15 vjeç do të mund të përdornin platformat vetëm një orë në ditë, përmes “mini-llogarive” të krijuara nëpërmjet llogarisë së prindit ose kujdestarit të tyre në rrjetet sociale.
Komisioni Evropian tha se kompanitë e rrjeteve sociale do të duhej të dëshmonin se platformat ishin të sigurta që në fazën e projektimit, ose do të përballeshin me gjoba deri në 6 për qind të shitjeve të tyre globale. Shefja e BE-së, Ursula von der Leyen, tha se kjo masë do t’i “rikthente prindërit në timon”.
Ajo shtoi se legjislacioni, i quajtur Akti i BE-së për Fëmijët, do t’u ofronte prindërve “mjetet për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të orientohen në një botë më të sigurt”.
Kufizimet nuk do të preknin vetëm aplikacionet e njohura, si TikTok, Instagram dhe Snapchat, por edhe YouTube-in dhe platformat e tjera për shpërndarjen e videove, si dhe chatbot-ët me inteligjencë artificiale dhe lojërat online.
“Shumë fëmijë po ekspozohen tepër herët ndaj një bote online në të cilën nuk janë të gatshëm të orientohen – një mjedis ku bullizmi mund t’ju ndjekë deri në shtëpi dhe ku çdo gabim mund të regjistrohet përgjithmonë” – tha von der Leyen.
Sipas këtij akti, vetëm fëmijët e moshës 15 vjeç e lart do të mund të hapnin llogaritë e tyre në rrjetet sociale.
Por von der Leyen i tha Parlamentit Evropian të enjten (17.09.2026) se “kufiri i moshës nuk nënkupton lirimin e kompanive teknologjike nga përgjegjësia për përmbajtjen në platformë”.
Ajo shtoi se sipas legjislacionit – nëse ai miratohet – kompanive do t’u kërkohej të paraqisnin plane të hollësishme për sigurinë e fëmijëve.
“Për çdo person nën moshën 18 vjeç, platformat duhet ta zbatojnë parimin e sigurisë që në fazën e projektimit: pa veçori toksike ose që krijojnë varësi, pa kurthe e të tjera” – tha ajo.
Disa shtete të veçanta të BE-së tashmë kanë njoftuar planet e tyre për kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët, përfshirë Francën dhe Spanjën.
Legjislacioni i propozuar në nivel të BE-së do t’i zëvendësonte ato dhe shtetet anëtare nuk do të mund të përjashtoheshin nga ajo që do të ishte një rregullore ligjërisht e detyrueshme.
Mësohet se Komisioni ka paralajmëruar disa shtete anëtare se do të duhej t’i shfuqizonin ligjet kombëtare të miratuara përpara hyrjes në fuqi të Aktit të BE-së për Fëmijët.
Planet e reja duhet të miratohen nga shtetet anëtare të BE-së dhe nga Parlamenti Evropian.
Tashmë ka pikëpyetje se si do të zbatohej ky legjislacion në të gjithë BE-në, ndërsa planet pritet të përballen me kundërshtime gjatë muajve në vijim.
Franca ofron një tregues se rruga përpara mund të jetë e vështirë, pasi shtetet e veçanta anëtare mund të përpiqen t’i forcojnë ose t’i zbusin propozimet.
Qeveria e Macronit kishte hartuar legjislacionin për ndalimin e rrjeteve sociale për personat nën 15 vjeç, por muajin e kaluar gjykata më e lartë e vendit e bllokoi atë, duke vlerësuar se cenonte lirinë e shprehjes.
Ministrat francezë tani i kanë ndryshuar planet e tyre fillestare.
Disa kritikë të ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët përmendin shqetësimet lidhur me privatësinë.
Ata shqetësohen se adoleshentët do të detyrohen të dorëzojnë të dhëna personale gjatë procesit të verifikimit të moshës, për të dëshmuar se janë mjaftueshëm të rritur për të përdorur platformat.
Komisioni ka thënë se mosha do të verifikohej përmes aplikacionit ekzistues të BE-së për verifikimin e moshës dhe se asnjë e dhënë personale nuk do të mblidhej ose shpërndahej.
Kompanitë e rrjeteve sociale gjithashtu do ta bëjnë të qartë qëndrimin e tyre ndaj kufizimeve, ndërsa akti do të diskutohet gjatë muajve në vijim.
Von der Leyen kishte propozuar më herët një “shtyrje” të përdorimit të rrjeteve sociale për fëmijët në Evropë, duke thënë në muajin maj se “diskutimi për një moshë minimale për përdorimin e rrjeteve sociale nuk mund të shpërfillet më”.
Politika, e paraqitur zyrtarisht të enjten, ishte paralajmëruar gjithashtu në fjalimin vjetor të shefes së BE-së të mërkurën (16.09.2026).
Në korrik, BE-ja tha se Meta duhet ta ndryshojë dizajnin “që krijon varësi” të Facebook-ut dhe Instagram-it, ose do të përballet me një gjobë të rëndë.
Në gjetjet paraprake, Komisioni Evropian tha se veçoritë si lëvizja e pafundme nëpër përmbajtje, videot që lëshohen automatikisht dhe rekomandimet e personalizuara mund të nxisin “përdorimin kompulsiv”, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët.
Një zëdhënës i gjigantit teknologjik i tha BBC-së se kompania nuk pajtohej me gjetjet, “të cilat nuk i marrin parasysh në mënyrë të saktë hapat e rëndësishëm që kemi ndërmarrë për t’i mbrojtur adoleshentët”.
Në një rast tjetër, Meta u pajtua në gusht për një marrëveshje prej 18 miliardë dollarësh (15.6 miliardë euro) me shtetet dhe territoret amerikane, për t’i zgjidhur pretendimet se Facebook-u dhe Instagram-i u kishin shkaktuar dëm fëmijëve. Si pjesë e marrëveshjes, kompania mohoi çdo shkelje.
Komisioni Evropian tha se legjislacioni i propozuar mbështetej në gjetjet e panelit të tij të posaçëm për sigurinë e fëmijëve në internet, i cili rekomandoi rregullim të përshtatshëm sipas moshës për fëmijët, me udhëzime të ndryshme për secilin grupmoshë.
Ai gjithashtu iu referua të dhënave të një sondazhi të fundit të BE-së, sipas të cilit 92% e të anketuarve e konsideronin nevojën për forcimin e mbrojtjes së fëmijëve në internet si një prioritet kryesor politik.
Von der Leyen tha se Komisioni kishte “shikuar shembullin e Australisë” – e cila vitin e kaluar i ndaloi platformat e rrjeteve sociale për personat nën 16 vjeç – gjatë hartimit të propozimit.
Ndalimi ka qenë i vështirë për t’u zbatuar nga ky shtet. Ministrja e Komunikimeve, Anika Wells, pranoi në fillim të këtij muaji se deri më tani asnjë kompani teknologjike nuk ishte gjobitur, pavarësisht hulumtimeve që tregonin se shumë persona nën 16 vjeç vazhdonin t’i përdornin platformat.
Një ndalim i ngjashëm për personat nën 16 vjeç pritet të hyjë në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar në pranverën e vitit të ardhshëm./BBC