
Komiteti shqyrtoi zhvillimet kryesore politike gjatë periudhës së fundit dhe bëri një vlerësim të gjendjes së zbatimit të kritereve politike dhe ekonomike, përafrimit me legjislacionin dhe standardet e BE-së, si dhe të zbatimit të obligimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Diskutimet u përqendruan në prioritetet e reformave në një gamë të gjerë fushash, duke u mbështetur dhe duke miratuar rezultatet e mbledhjeve të nënkomiteteve sektoriale dhe grupeve të veçanta të mbajtura në kuadër të ciklit të shtatë të Dialogut për Stabilizim-Asociimit.
Duke njohur përparimet e arritura në disa fusha, BE-ja nënvizoi rëndësinë e institucioneve plotësisht funksionale për përshpejtimin e nevojshëm të procesit të reformave. BE-ja theksoi se e ardhmja evropiane e Kosovës mbetet përpjekje e tërë shoqërisë, e mbështetur nga një konsensus i gjerë dhe i qëndrueshëm publik. Në këtë kontekst, bashkëpunimi i shtuar ndërmjet partive politike, konsultimi kuptimplotë me shoqërinë civile dhe angazhimi me pushtetin lokal mbeten faktorë të rëndësishëm për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
“Qeveria e Kosovës vuri në pah përparimet e arritura dhe rikonfirmoi përkushtimin e saj për avancimin e agjendës së reformave, zbatimin e obligimeve që rrjedhin nga MSA-ja dhe shfrytëzimin e plotë të mundësive që ofron Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor për të përshpejtuar zhvillimin socio-ekonomik dhe përparimin në rrugën evropiane”, thuhet në komunikatë.
Të dyja palët u pajtuan të vazhdojnë angazhimin e tyre në dobi të procesit të reformave të Kosovës dhe aspiratave të saj evropiane.