
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me monumente të cilat na mbushin me krenari për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë.
Ai tha se Lidhja shqiptare e Prizrenit është një prej këtyre ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare kundër shtypjes dhe sundimit.
“Historia e kombit tonë të lashtë është e pasur me momente të cilat na mbushin me krenari, për atë çka ne shqiptarët jemi dhe vlerat që ne përfaqësojmë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit është një prej ngjarjeve të jashtëzakonshme, ku patriotët vizionar u bashkuan për të krijuar një qëndresë mbarëshqiptare, kundër shtypjes dhe sundimit”.
“Ishte kjo Lidhje që punoi me të gjitha forcat për ta afirmuar kombin tonë dhe për të kundërshtuar copëzimin e trojeve etnike shqiptare. Ishte kjo besëlidhje që projektoi krijimin e një shteti shqiptar të lirë dhe të pavarur”, u shpreh ai.
Tutje, Begaj u shpreh se kemi përgjegjësi për të respektuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë.
“Sot teksa mbushen plot 145 vjet nga themelimi i Lidhjes së Prizrenit, nderojmë me krenari veprimtarinë e lavdishme të atyre që ëndërruan dhe punuan për kombin tonë shqiptar. Por, ndjenjat e krenarisë nuk mjaftojnë, ne kemi përgjegjësinë për të respektuar dhe për të mbrojtur trashëgiminë, që këto figura historike na lanë neve si trashëgim”, u shpreh tutje ai.
Begaj, i cili është zyrtari më i lartë i Shqipërisë që ka ardhur në Prizren për këtë ngjarje, para Presidentes Vjosa Osmani e Kryeministrit Albin Kurti, ka folur për luftimin e përçarjeve dhe unitet politik.
“Jemi me fat që të parët tanë, përveç gjuhës e kulturës na kanë trashëguar edhe miqësitë e vjetra e partnerë strategjikë të besueshëm, tek të cilët mund dhe duhet të mbështetemi kurdoherë. Jo çdo gjë ka qenë e lehtë por e ardhmja e kombit tonë do të jetë gjithnjë e më e begatë nëse ne luftojmë ndasitë dhe përçarjet mes vetes tonë, mes njëri tjetrit, nëse ne ruajmë boshtin tonë moral, nëse nuk harrojmë të shkuarën nëse e përçojmë te brezi i ri vlerat e atdhedashurisë dhe miqësisë, vlerat e paqes dhe unitetit”, ka theksuar Begaj.