Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Bërnabiq: Escobar, tjetër politikan që kundërshton rezolutat e OKB-së

Gazeta10
13 December 2022 - 20:49

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, është “një tjetër politikan që me vendosmëri është kundër rezolutave valide të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”.

Në disa postime në Twitter, Bërnabiq, ka thënë se Escobar “e ka marrë rolin e Këshillit të Sigurimit dhe me votën e tij unanime, të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë dhe ministres [Viola] von Cramon, të njohur edhe Raportuesja për Kosovën*, e ka anuluar Rezolutën 1244”.

“Kombet e Bashkuara nuk kanë nevojë të organizojnë sesione të Këshillit të Sigurimit, kjo trojkë do të vendosë për të gjitha çështjet globale tash e tutje. Nëse mundem, një pyetje, nëse Rezoluta 1244 nuk është më valide (sepse juve nuk ju pëlqen, ndonëse askujt nuk i bëhet vonë) dhe nëse Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston (siç thotë [kryeministri i Kosovës, Albin] Kurti, dhe pasi ju nuk i dënoni deklaratat e tij, ju liderë të mëdhenj) dhe nëse Marrëveshja e Uashingtonit nuk është asgjë pos diçka e së kaluarës, dhe nëse Karta e OKB-së nuk vlen për Serbinë (sepse ju liderët besoni se nuk duhet), atëherë në bazë të cilës marrëveshje/rezolute/parimi duhet të veprojmë ne?” ka pyetur ajo.

Bërnabiq nuk e ka bërë të ditur se cilave deklaratave të Escobarit u është referuar, apo cilave veprime të mekanizmave tjerë ndërkombëtarë.

Escobar ka thënë në një intervistë më herët se SHBA-ja kundërshton kategorikisht kthimin e forcave serbe në Kosovë, që Serbia ka paralajmëruar se do ta kërkojë nga KFOR-i. Ai tha se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga SHBA-ja./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
19 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.