
Finalja e Kupës së Botës pritet të ketë një spektakël të veçantë edhe jashtë fushës.
Sipas raportimeve, FIFA është në bisedime me Justin Bieberin për ta përfshirë atë në shfaqjen e pjesës së parë të finales së Botërorit, që do të zhvillohet këtë muaj.
Finalja e madhe tashmë nuk është shumë larg, pasi më shumë se gjysma e ndeshjeve të turneut janë zhvilluar. Ndërsa faza eliminatore po vazhdon dhe skuadrat e 1/8 së finales po konfirmohen një nga një, finalja e edicionit të Amerikës së Veriut do të luhet më 19 korrik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Për pakënaqësinë e disa tifozëve të futbollit, finalja do të ketë edhe një “half-time show”, të ngjashëm me atë të Super Bowlit, ku artistë të njohur do të performojnë gjatë pushimit mes pjesëve.
Aktualisht, Shakira, BTS dhe Madonna raportohet se janë pjesë e programit të performancës, por FIFA thuhet se po punon për ta shtuar edhe një emër tjetër të madh në skenë.
Finalja do të zhvillohet në “MetLife Stadium”, i cili do të jetë edhe vendi ku do të mbahet spektakli muzikor. Për këtë arsye, pritet që pushimi mes pjesëve të zgjasë më shumë se zakonisht.
Sipas një raportimi të “TMZ”, Justin Bieber është në bisedime me FIFA-n për të performuar në këtë ngjarje, me synimin për ta bërë edhe më të madhe listën tashmë të mbushur me yje.
Bieber së fundmi ishte pjesë e ceremonisë hapëse të Kupës së Botës, ku u paraqit së bashku me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber.