Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Bislimi e pranon se rezoluta 1244 është në preambulë të draft-statutit: Për këtë përgjigjen ata që e hartuan

Gazeta10
14 December 2023 - 14:11

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pranuar se në preambulën e draft-statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar nga ndërkombëtarët përmendet rezoluta 1244.

“Po”, pohoi Bislimi tërkurën, kur u pyet në një intervistë në RTK se “a përmendet rezoluta 1244 në preambulë” të draft-statutit.

“Si përmendet?”, u pyet tutje Bislimi, i cili refuzoi të futej në hollësi, por tha se për këtë duhet të përgjigjen autorët. Qeveria, tha ai, s’ka dashur të japë komente sepse ato mund të integroheshin dhe drafti do të merrte edhe autorësinë e Ekzekutivit.

“Tash unë nuk e kam draftin… Përmendet. Por tash për këtë përgjigjen ata që e kanë hartu. Ne si Qeveri kemi hezituar të japim komente, sepse p.sh. nëse japim komente dhe ato komente disa sosh integrohen, në njëfarë mënyre drafti fillon të marrë edhe autorsi të Qeverisë. Ai nuk është draft i Qeverisë”, tha zëvendëskryeministri.

Bislimi tha se ende nuk e kanë pranuar draft-statutin e propozuar nga ndërkombëtarët në tetor.

“Nuk e kemi pranuar. Mendoj që kjo narrativë është duke u shpërndarë qëllimisht dhe gabimisht”, tha Bislimi.

Ai tha se hapat drejt krijimit të Asociacionit do të vijnë vetëm pasi të ketë një vendim të Gjykatës Kushtetuese për draft-statutin e hartuar nga shtetet perëndimore si dhe veprimeve të Serbisë drejt njohjes ‘de facto’.

“Është faza e tretë ku Qeveria pas vendimit eventual pozitiv ose modifikimeve të Gjykatës Kushtetuese nxjerr dekretin e saj dhe pasojnë veprimet e tjera të Serbisë – në atë moment kur garantohet plotësimi i të gjitha elementeve të njohjes de-facto, atëherë mund të nisë veprimi për krijimin e Asociacionit”, tha Bislimi.

Kryeministri Albin Kurti në një takim me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni ishte shprehur i gatshëm të nënshkruante për themelimin e Asociacionit sipas propozimit ndërkombëtar, por kërkonte që të nënshkruante edhe Serbia.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.