
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka marrë pjesë në Gala Mbrëmjen e dytë vjetore të Albanian American Relations Council (AARC), të mbajtur në New York, në prani të përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan, miqve të komunitetit shqiptar dhe personaliteteve nga jeta publike.
AARC e ka përshkruar ngjarjen si një mbrëmje kushtuar lidhjeve shqiptaro-amerikane dhe kontributit të komunitetit shqiptar në SHBA.
Në fjalën e tij, Konjufca ka vlerësuar kontributin e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke theksuar rolin e veprimtarëve, shoqatave dhe organizatave shqiptare në sensibilizimin e opinionit dhe institucioneve amerikane për çështjen e Kosovës.
“Veprimtarët, shoqatat dhe organizatat shqiptare punuan për dekada për çështjen shqiptare dhe për ndërgjegjësimin e opinionit dhe institucioneve amerikane për Kosovën. Kontributi i mërgatës shqiptare në Amerikë qëndron në themel të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, tha Konjufca.
Ai është ndalur edhe te aktgjykimi i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke e cilësuar atë si një padrejtësi që, sipas tij, tejkalon fatin personal të personave të dënuar.
“Vendimi i shkallës së parë i Dhomave të Specializuara ndaj ish-krerëve të UÇK-së përbën një padrejtësi që shkon përtej fatit personal të të dënuarve dhe prek kauzën tonë për çlirim dhe liri. Kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe duhet të mbrohet legjitimiteti i luftës çlirimtare të UÇK-së dhe e drejta e popullit të Kosovës për çlirim nga shtypja”, u shpreh Konjufca.
Në fjalën e tij, ai ka folur edhe për situatën institucionale në Kosovë, duke theksuar nevojën për stabilitet institucional dhe demokratik.
Konjufca ka bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe reflektim, duke kërkuar që interesi shtetëror e kombëtar të vendoset mbi interesat e ngushta partiake.
“Në një kohë sfidash të mëdha, kohezioni kombëtar dhe funksionimi i qëndrueshëm i institucioneve mbeten thelbësore”, ka theksuar ai.
Në përmbyllje, Konjufca ka falënderuar Albanian American Relations Council për angazhimin në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, si dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe fuqizimin e lidhjes së komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara me vendet shqiptare.
“Zëvendëskryeministri Konjufca falënderoi AARC-në për angazhimin në forcimin dhe avancimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe për rolin e saj në ruajtjen dhe fuqizimin e lidhjes së komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara me vendet tona”, thuhet në komunikatë.