
Raporti: Arbenita Ilazi / KANAL10
Tensionet e fundit në pjesën veriore të vendit po ndikojnë jo pak në punën e bizneseve atje. Pronarë të lokaleve kanë rrëfyer për Kanal 10 se si janë detyruar t’i mbajnë të mbyllura lokalet dhe janë para falimentimit. Ata janë ankuar se ende askush nga qeveria ose pushteti lokal nuk i ka kontaktuar. Drejtues të Komunës së Mitrovicës së veriut thonë se kanë prioritete të tjera në këtë kohë.
Adelina Muja- Brahimi, ka disa vite që është pronare e një dyqani të rrobave në Mitrovicën e veriut.
Deri para tensioneve në veri, puna i ecte mirë por muajve të fundit gjërat kanë shkuar për të keq.
Sipas saj, ka punë më pak e shpesh biznesi është dashur të mbyllet para kohe për shkak të protestave.
Këtë biznes, pronarja thotë se po e mban me vështirësi dhe mund të detyrohet ta mbyllë në cdo moment.
Gjendje më e mirë nuk është as në bizneset e tjera të zonës.
Sipas pronarëve, qeverisja lokale as që është interesuar ndonjëherë për fatin e bizneseve të tyre.
Por nga Komuna e Mitrovicës së veriut thonë se janë të sapoardhur në pushtet dhe ende nuk kanë arritur të bëjnë një plan për këta të fundit.
Një pjesë e madhe e lokaleve në pjesën veriore të vendit, janë duke u përballur me humbje financiare, si shkak i tensioneve kohëve të fundit. /Gazeta10