
Raporti: Gentiana Gashi/Kanal10
Është përmbyllur fushata për ndërgjegjësimin kundër diskriminimit. Me sloganin “Blloko urrejtjen. Fal Dashni”, pjesëmarrësit, përçuan mesazhe për dashurinë e barazinë, shkruan Kanal10.
Përmes këtij aktiviteti, të rinjtë kosovarë në bashkëpunim me institucionet e BE-së, synojnë të përçojnë mesazhe për barazinë, dashurinë e solidaritetin.
Me sloganin “Blloko urrejtjen. Fal Dashni”, u përmbyll fushata vetëdijësuese në Prishtinë.
Zytarët nga Këshilli i Evropës si dhe Zyra e Bashkimit Evropian, thanë se përmes kësaj kampanje synohet ndërgjegjësimi kundër diskriminimit.
Madje, ata shfrytëzuan këtë event edhe për të vizituar Kosovën me familjarë, derisa shtuan se Kosova meriton të jetë anëtare e BE-së.
“Përmes kësaj kampanje synojmë t’i eliminojmë format e diskriminimit, si ato etnike, fetare etj. Është obligim i yni të eliminojmë gjuhen e urrejtjes, sepse ajo gjuhë godet shtyllat e demokracisë. Mendoj se komunat luajnë një rol të rëndësishmesh për ofrimin e kushteve dhe infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuar. Jemi munduar të shkrijmë artin dhe sportin dhe përmes këtyre të luftojmë diskriminimin”, tha Tankut Soykan – Zv. Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë.
“Unë erdha në Kosovë me familjen time dhe jam i mahnitur me ndryshimet që janë bërë, prandaj dua të jap komplimentet e mia për zhvillimin e Kosovës që keni bërë në këto 17 vitet e fundit. Ne dëshirojmë që Kosova të bëhet shtet anëtar i Bashkimit Evropian , me atë që kam parë Kosova e ka dëshmuar se duhet të jetë pjesë e BE-së. Jeni të lirë të shpreheni mendimet e juaja përderisa nuk shkelni të drejtat e tjerëve”, tha Johannes Stenbaek Madsen – Shef i Seksionit për Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së.
Këtë aktivitet, nënkryetarja e Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e ka ndërlidhur me ditën e shëndetit mendor, që shënon vetëm një ditë pas.
Fushata mbështetet nga projekti “Promovimi i diversitetit dhe barazisë” i zbatuar në kuadrin e programit të përbashkët të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Lehtësia Horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë 2019-2022”. /Gazeta10