
Bloomberg i ka kushtuar një artikull zhvillimit të sektorit të teknologjisë në Kosovë, duke vlerësuar ndikimin e tij në uljen e papunësisë së të rinjve dhe frenimin e “ikjes së trurit”.
Nga tarraca e Qendra e Inovacionit në Kosovë në Prishtinë, Shpend Lila tregon drejt një ndërtese me tulla të kuqe që dikur dominonte horizontin e kryeqytetit. Sot, ajo është tejkaluar nga ndërtesat moderne ku operojnë kompani teknologjike në rritje, përfshirë SPEEEX, e cila synon të bëhet “unicorni” i parë i vendit.
Zhvillimi i sektorit të IT-së nuk po transformon vetëm pamjen urbane të Prishtinës, por edhe ekonominë e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në uljen e papunësisë së të rinjve – një nga sfidat më të mëdha pasluftës.
“Teknologjia është i vetmi sektor që ndihmon në mbajtjen e të rinjve në Kosovë. Ata mund të qëndrojnë këtu nëse marrin paga të mira”, tha Lila, e cila prej gati 15 vitesh trajnon të rinjtë në aftësi digjitale.
Sipas të dhënave zyrtare, papunësia e të rinjve ka rënë ndjeshëm, nga 61% në vitin 2014 në rreth 10% në vitin 2025.
Ky trend u përshpejtua gjatë pandemisë COVID-19, kur rritja e punës online krijoi mundësi të reja për tregun e IT-së.

Ekonomia e Kosovës, e cila pritet të arrijë rreth 12 miliardë dollarë këtë vit sipas kryeministrit Albin Kurti, po mbështetet gjithnjë e më shumë në teknologji, me këtë sektor që kontribuon rreth 6% të prodhimit të brendshëm bruto.
Aktualisht, rreth 45 mijë persona janë të punësuar në mbi 2,500 kompani teknologjike.
Pagat mesatare në këtë sektor arrijnë rreth 1,000 euro në muaj – gati dyfishi i mesatares kombëtare – ndërsa pozitat e avancuara dhe puna në distancë për kompani ndërkombëtare ofrojnë të ardhura edhe më të larta.
Megjithatë, vendi ende nuk ka arritur të tërheqë gjigantë globalë si Amazon apo Google. Zhvillimi i sektorit është mbështetur kryesisht nga kompanitë lokale dhe investimet e diasporës, një pjesë e madhe e së cilës jeton në Evropë dhe SHBA.
Një rol të rëndësishëm në këtë transformim ka luajtur edhe mbështetja ndërkombëtare.
Donatorë si Norvegjia, Luksemburgu dhe SHBA-ja kanë investuar miliona euro në zhvillimin e sektorit që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.
Qendra e Inovacionit në Kosovë ka trajnuar deri më tani rreth 11 mijë të rinj, ku rreth 90% e tyre kanë gjetur punë në teknologji. Institucioni ka mbështetur gjithashtu rreth 700 startup-e, me një normë mbijetese prej 20%.
Ndër startup-et e suksesshme përmenden Starlabs dhe Kidsday, ndërsa Gjirafa është shndërruar në një platformë rajonale që shpesh krahasohet me një kombinim të shërbimeve të Amazon dhe Google.
Në vitin 2025, Kosova tërhoqi rreth 1 miliard euro investime të huaja direkte, një rekord historik që pritet të tejkalohet këtë vit.
Përfaqësues të industrisë theksojnë se sfidat mbeten, veçanërisht në arsim dhe infrastrukturë.
Sipas drejtuesve të SPEEEX, kompanitë shpesh detyrohen të trajnojnë vetë punonjësit për shkak të mungesës së aftësive të përshtatshme në treg.
Ndërkohë, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë thirrje për më shumë investime në infrastrukturë dhe reforma në arsim, në mënyrë që kryeqyteti të pozicionohet si një qendër rajonale e teknologjisë dhe inteligjencës artificiale.
Edhe ish-ministrja Mimoza Kusari-Lila ka theksuar nevojën për bashkëpunim më të madh me sektorin privat dhe për politika që mbështesin inovacionin.
Pavarësisht progresit, ekonomia e Kosovës mbetet e varur nga diaspora, me remitanca që arritën në rreth 1.94 miliardë dollarë në vitin 2024.
Megjithatë, me rritjen e sektorit të teknologjisë, autoritetet dhe sipërmarrësit shpresojnë se vendi po hyn në një fazë të re zhvillimi ekonomik./Telegrafi.