
Skena politike në Kosovë po pëson një lëvizje të rëndësishme, ku në qendër të vëmendjes është vënë kryetari shumëvjeçar i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. Pas njoftimit se Ramush Haradinaj nuk do të kandidojë më për kryetar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e as për mandatar për kryeministër, Gjini është konfirmuar kandidati kryesor për t’i marrë këto pozita. I njohur prej vitesh si krahu i djathtë dhe numri dy i Haradinajt brenda partisë, ai tashmë është bartës i listës zgjedhore për kryeministër në nivel vendi, në zgjedhjet që priten të mbahen me 7 qershor.
Në opinionin publik dhe atë lokal, Ardian Gjini njihet si njeriu që ka transformuar qytetin -Gjakovën. Ai e udhëheq këtë komunë që nga viti 2017, ndërsa në zgjedhjet e fundit lokale fitoi besimin e qytetarëve duke siguruar mandatin e tij të tretë radhazi. Gjatë qeverisjes së tij, Gjakova ka pësuar ndryshime të mëdha strukturore përmes qindra kilometrave rrugë të ndërtuara në qytet e fshat, unazave të reja rrugore dhe projekteve të shumta kapitale që e kanë kthyer atë në një model të qeverisjes lokale.
Kjo përvojë e gjatë menaxhuese vjen pas një rrugëtimi të pasur politik dhe institucional që Gjini e ka nisur herët. I lindur më 18 janar 1970 në Gjakovë, Ardian Gjini është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe një nga deputetët nënshkrues të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Shërbeu si anëtar i Grupit Politik Strategjik në bisedimet e Vjenës për Planin e Ahtisaarit dhe si anëtar i komisionit të parë kushtetues të Republikës së Kosovës. Ai ka mbajtur gjithashtu pozitën e Ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ka qenë deputet për dy mandate në Kuvendin e Kosovës, ku udhëhoqi edhe grupin parlamentar të AAK-së.
Krahas karrierës institucionale, Gjini mban titullin Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Studime Evropiane nga Universiteti i Kentit në Canterbury, Mbretëri e Bashkuar. Për t’u fokusuar plotësisht në garën kombëtare dhe në zgjedhjet e brendshme partiake ku synon lidershipin e AAK-së, Gjini është liruar së fundmi nga detyra e kryetarit të degës së partisë në Gjakovë.
Ardian Gjini është i martuar, ka dy vajza dhe një djalë.