
Deklarata e kryeministrit Albin Kurti se “në Kosovë jetohet shumë më mirë si qytetar i Republikës sesa si banor i komunës” ka nxitur reagimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK).
Përmes një reagimi, AKK-ja i ka kërkuar Kurtit të ndalë, siç i ka quajtur, përçmimet ndaj komunave, duke theksuar se kanë kaluar më shumë se dy vjet nga takimi i fundit i kryeministrit me kryetarët e komunave.
“Veç na e sqaroni një hollësi: kur qytetari i Republikës niset për në shtëpi, në cilën komunë mbërrin?”, thuhet në reagimin e Asociacionit.
AKK-ja ka rikujtuar edhe deklaratat e mëparshme të Kurtit ndaj komunave, përfshirë cilësimet “politikë antishtetërore” dhe “komunat dembele”, si dhe paralajmërimet lidhur me ndarjen e buxhetit për kryetarët që, sipas kryeministrit, “nuk dinë të punojnë mirë” ose “vjedhin”.
Asociacioni ka shprehur shqetësimin edhe për mosrealizimin e Grantit të Katërt për investime kapitale, përmes të cilit, sipas tyre, Kurti kishte premtuar më shumë autonomi për komunat.
Në reagim, AKK-ja ka theksuar se buxheti publik duhet të ndahet në përputhje me ligjin, nevojat dhe kriteret e barabarta, ndërsa çdo dyshim për keqpërdorim duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse.
“Nota që ia jep kryeministri kryetarit prej foltores s’figuron askund në formular”, thuhet më tej në reagim.
Në fund, Asociacioni i ka bërë thirrje Kurtit që të caktojë një takim me kryetarët e komunave, t’i dëgjojë shqetësimet e tyre dhe të përmbushë zotimet për financimin dhe autonominë lokale.
“Boll ma me përçmime. Caktojeni takimin. Uluni me kryetarët, dëgjojini hallet e qytetarëve dhe mbajini zotimet për financimin dhe autonominë lokale”, përfundon reagimi i AKK-së.