
Senatori amerikan Dick Durbin ka deklaruar se propozimi i kryeministrit Albin Kurti për shndërrimin e kampit Bondsteel në një bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës duhet të shqyrtohet seriozisht.
Në një intervistë për RTK, Durbin ka zbuluar se Qeveria e Kosovës ka propozuar edhe një marrëveshje financiare për realizimin e kësaj nisme, duke vlerësuar se ajo nuk do të kërkonte ndonjë sakrificë të madhe financiare.
Senatori amerikan ka treguar se gjatë takimit të 12 tetorit në Prishtinë, Kurti u kishte prezantuar atij dhe senatores Jeanne Shaheen një hartë të Kosovës, përmes së cilës kishte shpjeguar rreziqet e sigurisë me të cilat përballet vendi.
“Ne duam që të gjithë të jenë të sigurt dhe në paqe, dhe mendoj se prania e KFOR-it këtu e ka kryer mirë këtë detyrë”, ka deklaruar Durbin.
Kampi Bondsteel, i vendosur pranë Ferizajt, është baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan.
Kryeministri Kurti ka kërkuar vazhdimisht që kjo bazë të marrë status të përhershëm amerikan, duke e konsideruar një hap të rëndësishëm për sigurinë afatgjatë të Kosovës dhe stabilitetin e rajonit.
Megjithatë, ende nuk janë bërë publike detajet e ofertës financiare të Qeverisë së Kosovës.