Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Rritja ekonomike ngadalësohet, inflacioni rritet: Ky është parashikimi i FMN-së për Kosovën

Gazeta10
14 October 2026 - 8:37

Ekonomia e Kosovës pritet të shënojë rritje prej 3,5 për qind gjatë vitit 2026, ndërsa inflacioni parashikohet të rritet në 6,8 për qind, sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të publikuara në raportin e tetorit World Economic Outlook.

Sipas raportit, rritja ekonomike e Kosovës pritet të ngadalësohet nga 3,6 për qind sa ishte në vitin 2025, në 3,5 për qind më 2026. Për vitin 2027, FMN-ja parashikon një rritje prej 3,6 për qind.

Në të njëjtën kohë, inflacioni pritet të përshpejtohet ndjeshëm. Pasi ishte 3,9 për qind në vitin 2025, ai parashikohet të arrijë në 6,8 për qind më 2026, përpara se të bjerë në 4,5 për qind në vitin 2027.

Raporti i FMN-së parashikon gjithashtu zgjerimin e deficitit të llogarisë rrjedhëse, nga 8,3 për qind e Bruto Produktit Vendor (BPV) më 2025, në 9,3 për qind më 2026. Për vitin 2027, ky deficit pritet të jetë 8,9 për qind e BPV-së.

Të dhënat tregojnë se Kosova do të përballet me një kombinim të rritjes së ngadalësuar ekonomike dhe inflacionit më të lartë gjatë vitit 2026, ndërsa përmirësimi i parashikuar për vitin e ardhshëm mbetet i pjesshëm.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.