
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel në Kanal10, kësaj here duke trajtuar tema të ndryshme nga Liga e Parë e futbollit në Kosovë.
Të ftuar në studio janë: Bekim Isufi, Ramiz Krasniqi, Lulzim Abazi, Jeton Gashi, Liridon Ahmeti dhe Sami Boroci.
Drejtori sportiv nga Prishtina e Re, Sami Boroci foli për ndeshjen derbi mes Ferizajt e Ulpianës, që u luajt para një jave.
Ai vazhdoi duke e quajtur skandaloze, për ‘gabimet’ që kishin ndodhur gjatë kësaj ndeshje.
“Kjo ndeshje ishte skandal i llojit të vetë. Së pari, Ulpiana i largoi lojtarët më të mirë nga ndeshja edhe pse ishte duke humbur, pastaj shkoi deri në ekstrem, duke bërë gabimin e futjes së lojtarit që nuk kishte të drejtë loje” – tha Boroci.
Fjalës së Borocit iu kundërpërgjigj presidenti i Ferizajt, Lulzim Abazi.
“I vogël je ti të flasësh për neve. Një klub nga Hajvalia, ende nuk jeni në nivelin e klubit të Ferizajt dhe Ulpianës” – tha Abazi.
Ferizaj – Ulpiana përfundoi në të mirë të mysafirëve në fushë, mirëpo jashtë saj, skuadra nga Lipjani humbi ndeshjen në tavolinë pas një lëshimi në çështje administrative.
Ndërkohë, Prishtina e Re prin në grupin B të Ligës së Parë, me një pikë më shumë se Ferizaj në vendin e dytë në tabelë.
Ulpiana është në vendin e katërt në tabelë me 31 pikë.