
Banka Qendrore e Kosovës, me mbështetjen e Bankës Botërore, po harton një strategji për edukimin dhe qëndrueshmërinë financiare.
Dokumenti, siç thuhet në një kumtesë të BQK-së, synon t’i ndihmojë qytetarët dhe bizneset e vogla të marrin vendime më të informuara për financat e tyre.
Kjo çështje me rendësi u diskutua në takimin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, me ekspertë të lartë të Bankës Botërore.
Sipas BQK-së, strategjia do të përfshijë edhe njohjen e rreziqeve që lidhen me shërbimet financiare, përfshirë ato kibernetike.
Ismaili tha se strategjia duhet të bashkërendojë nismat për edukimin financiar dhe të forcojë mbrojtjen e konsumatorëve. Ai falënderoi Bankën Botërore për mbështetjen dhe ekspertizën në hartimin e dokumentit.
Procesi do të udhëhiqet nga BQK-ja, përmes konsultimeve me institucione publike, sektorin financiar, akademinë dhe partnerët ndërkombëtarë. Strategjia synon gjithashtu të përmirësojë qasjen në shërbime financiare për qytetarët dhe bizneset mikro e të vogla.