Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Bujar Osmani: Nëse vota është në bazë etnike, shqiptarët të mos marrin pjesë

Gazeta10
02 March 2024 - 22:03

Nën ethet e zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, kandidati shqiptar që garon nën siglën e BDI-së, tregon ambicien e tij për t’u ulur në karrigen e kryetarit të shtetit.

Ndonëse ne garë nuk është shqiptari i vetëm, ai është i mendimit se posti i Presidentit nuk duhet të jetë ekskluzivitet  i maqedonasve.

“Është koha që shqiptarët të kenë Presidentin e parë shqiptar dhe të thyejmë tabutë e fundit të monopoleve etnike në shtet. Nëse dhe këtë radhë përsëri  do të votohet  vetëm mbi baza etnike atëherë vërtetë nuk ka arsye pse shqiptarët të marrin pjesë në proceset zgjedhore për të bërë alibinë e zgjedhjeve të cilat janë përjashtuese“, tha Osmani për Top Channel.

Cili do qoftë rezultati i zgjedhjeve, formula sesi duhet te shkohet drejt një Presidenti shqiptar për Bujar Osmanit është e qartë: Zgjedhje e tij përmes Parlamentit.

“Në fakt ka kohë, vite të tëra që ne themi që procesi i zgjedhjes se Presidentit, është i njëanshëm, është monoetnik, është përjashtues dhe shqiptarët nuk janë vendimtar. Unë mendoj se ka një shanc serioz, që me këtë kandidaturë të jepet mundësia që të zgjidhet Presidenti i parë shqiptar në zgjedhje të drejtpërdrejta, nëse jo, atëherë e vetmja mundësi është të bëjmë ndryshime Kushtetuese dhe Presidenti të zgjidhet në Parlament”.

E për ta realizuar këtë objektiv, Osmani thotë se ndryshimi i formulës së zgjedhjes së kreut te shtetit është edhe një nga kushtet e BDI-së për aleancat paszgjedhore,  qoftë edhe me LSDM, forcë politike e cila kërkon t’i japë një mandat tjetër Presidentit në detyrë Stevo Pendarovski.

“E ardhmja e koalicionit do varet prej rezultateve zgjedhore. BDI ka parashtruar vijat e saj te kuqe, janë tre marrëveshjet shtyllë te Maqedonisë së Veriut, e Ohrit, e Prespës dhe fqinjësisë mirë dhe sigurisht zgjedhja e Presidentit ne Parlament”.

Paralelisht me garën presidenciale, Maqedonia e Veriut po bëhet gati për betejën parlamentare, që i hap rrugë formimit  të qeverisë së re, ndërsa deri ditën e zgjedhjeve, ekzekutivi i përkohshëm do të drejtohet nga shqiptari Talat Xhaferi.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.