Kontaktoni

info@gazeta10.com

Duhet Lexuar

Burri vret me sëpatë gruan e tij në Prishtinë (VIDEO)

Gazeta10
25 November 2022 - 19:04

Raporti: Viola Korça

Një tjetër rast tronditës ka ndodhur mëngjesin e së premtes në Kosovë. Burri 70 vjeçar e ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij, 63 vjeçare. Ai këtë vrasje e ka kryer me sëpatë, e më pas është dorëzuar në Polici. Organet e hetuesisë kanë thënë se ende nuk dihen motivet e këtij krimi, derisa kanë shtuar se hetimet do të vazhdojnë.

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një familje në Prishtinë.

70 vjeçari e ka vrarë gruan e tij, 63 vjeçare.

Ky krim tronditës ka ndodhur rreth orës 5 të mëngjesit të së premtes, në shtëpinë e tyre në rrugën “Mark Isaku”, në kryeqytet.

Madje, ai dyshohet se vrasjen e ka kryer me sëpatë.


Sipas banorëve, viktima dhe i dyshuari jetonin vetëm në shtëpi dhe sipas tyre asnjëherë nuk kishin dëgjuar të kenë pasur konflikt midis tyre.

Banorët kanë thënë se çifti kishte dy fëmijë dhe se viktima ishte mësimdhënëse në shkollën “Dardania” të kryeqytetit.

Pas vrasjes, i dyshuari ishte lajmëruar në Polici dhe i kishte njoftuar zyrtarët policorë për krimin.

Nga Policia e Kosovës këtë rast e kanë cilësuar si “vrasje e rëndë”.

Bazuar në hetimin preliminar si dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar vrasje e rëndë. Lidhur me rastin është vetëdorzuar një person i dyshuar: I. G, mashkull 70 vjeç. Personi i dyshuar me urdhër të prokurorit të shtetit, është intervistuar dhe i njëjti është dërguar në qendrën e ndalimit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës, femër 63 vjeç, është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Ndërkaq, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë njoftuar se kanë ndaluar të dyshuarin dhe se ende nuk dihen motivet që kanë çuar në këtë ngjarje.

Prokurori kujdestar nga Departamenti i Krimeve të Rënda, bashkë me njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, me ç’ rast kanë ndërmarrë veprimet hetimore, si dhe në vendin e ngjarjes është sekuestruar sëpata me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, ndërsa me urdhër të prokurorit është dërguar për obduksion trupi i pa jetë. Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti.

Viteve të fundit, institucionet e vendit kanë alarmuar për rastet e shpeshta të vrasjeve në Kosovë, për çka janë kërkuar veprime urgjente për parandalimin e tyre. / Kanal10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.