
“Flora është vetë historia”, kështu e ka kujtuar me emocione të forta Ibadete Canolli Kaçiu, infermierja që për vite punoi përkrah ish-deputetes dhe mjekes pediatre, Flora Brovina, e cila të martën ndërroi jetë pas një ndërhyrjeje kardiokirurgjike.
Canolli, e cila kishte përcjellë nga afër gjendjen e saj shëndetësore pas ndërhyrjes kardiokirurgjike, e kishte vizituar edhe të martën në mëngjes, kur Brovina ishte ende e lodhur, por komunikonte. Pak orë më vonë, ajo ndërroi jetë.
Ajo ka treguar se Brovina, edhe pse e dinte se do t’i nënshtrohej ndërhyrjes, të hënën kishte marrë pjesë protestën e organizuar për katërshen e UÇK-së që po mbahet në Hagë.
“Tash po më vjen shumë vështirë me folë për të, për një njeri në kohën e shkuar, kur deri sot ajo ka frymëzuar. Sot e kemi pasur takimin e fundit pas ndërhyrjes që e ka pasur kardiologjike, që ka qenë me fatalitet, nuk ka mbijetuar domethënë. Në mëngjes kemi biseduar, isha në vizitë…. 04:24… Ajo të hënën ka marrë pjesë në protestë, në marshin që qe, ëh e ka ditë që ka me pasur ndërhyrjen, e ka pasur të caktuar, po jo gjithmonë shkojnë mirë. Ka pasur ndërhyrjen kardiokirurgjike, mandej ka shkuar me një sulm. Edhe ka përfunduar në intensivë të kardiokirurgjisë. pastaj e ka marrë pak veten. Sot ka pasur me vazhduar me procedura të tjera. Sot në mëngjes po ka qënë shumë e lodhur, po komunikojke. Mandej ligjin e natyrës nuk mundemi me ikë edhe nuk ka mbijetuar.”, ka thënë Canolli.
Me emocione, Canolli thotë se ende nuk mund ta besojë humbjen e saj, duke e cilësuar Brovinën si “shembullin e përsosur të njerëzores” dhe duke thënë: “Flora është vetë historia”.
Sipas saj, Brovina, ndonëse me profesion ishte pediatre, kujdesej për pacientë të moshave të ndryshme dhe kishte një ndjeshmëri të veçantë ndaj njerëzve në nevojë.
Duke kujtuar prej kur ajo e ka njohur, ka treguar se pas proteste të nënave më 8 mars 1998, Brovina i ishte afruar asaj dhe i kishte kërkuar që të bëhej pjesë e ekipit të saj mjekësor.
Pikërisht për këtë, për Ibadeten është edhe humbje e madhe personale sepse gjithçka që bën sot e ka trashëguar nga Flora Brovina.
Në bisedën e fundit me të, sipas Canollit, Brovina kishte ende shpresë se do të lirohej ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Në fund, e pushtuar nga emocionet, Canolli ka thënë se është personi i fundit që e ka takuar Brovinën për së gjalli ku edhe i tha se e do shumë.
Flora Brovina ishte mjeke pediatre, poete, veprimtare humanitare dhe politikane. Ajo ishte deputete e Kuvendit të Kosovës që nga legjislatura e parë, e dalë nga zgjedhjet e vitit 2001, dhe vazhdoi të ishte pjesë e Kuvendit edhe në pesë legjislatura pasuese.
Gjatë viteve të nëntëdhjeta, Brovina ishte aktive në veprimtarinë humanitare dhe në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve. Gjatë luftës në Kosovë, në vitin 1999, ajo ishte arrestuar nga forcat serbe dhe ishte dërguar në burg në Serbi, ndërsa rasti i saj kishte nxitur reagime ndërkombëtare./KP