
Norvegjia ka siguruar një vend në fazën e 1/16-ës së finales të Kupës së Botës, pasi mposhti Bregun e Fildishtë me rezultatin 2-1, falë golave të Antonio Nusa dhe Erling Haaland.
Pas suksesit historik, përzgjedhësi Stale Solbakken mbajti një fjalim plot emocion në dhomat e zhveshjes, duke motivuar skuadrën dhe duke vlerësuar arritjen e saj.
“Djema! Ju nuk po ndryshoni vetëm historinë e futbollit norvegjez, por historinë e Norvegjisë në përgjithësi. Kjo është diçka e madhe dhe nuk do të ndodhë më kurrë në këtë mënyrë”.
“Që tani e tutje do të kualifikohemi vazhdimisht, prandaj ato 28 vite të gjata që nga paraqitja jonë e fundit në Kupën e Botës gjithë ajo dhimbje në vend, gjithçka që ndiej unë këtu dhe gjithçka që ndieni ju nuk do të kthehet më. Kurrë”.
“Kjo është falë jush. Ju e bëtë të mundur. Ju bëtë që të gjithë në Norvegji të festojnë për 14 ditë rresht pa u habitur askush. Ju e krijuat këtë moment dhe do ta mbani me vete përgjithmonë. Sot shijojeni plotësisht”.
Në fund të fjalimit, Solbakken iu drejtua kundërshtarit të radhës me një mesazh që ndezi entuziazmin e ekipit.
“Dhe prit Carlo Ancelotti. Po vijmë për ty”.
Deklarata u prit me duartrokitje dhe brohoritje nga futbollistët norvegjezë, të cilët tani do të përballen me Brazilin e drejtuar nga Carlo Ancelotti në një nga sfidat më të shumëpritura të fazës me eliminim direkt.