
Basketbolli i Golden Eagle Yllit, Chris Harris është shpallur “MVP” i xhiros së 25-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll.
Harris kishte pasur një paraqitje mjaft të mirë në ndeshjen kundër Ponte Prizrenit dhe ishte njëri nga lojtarët më meritorë që kampioni në fuqi arriti fitore në këtë ballafaqim.
Në ndeshjen kundër Pontes, basketbollisti amerikan arriti të realizojë 21 pikë, 18 kërcime dhe një asistim.
Po ashtu, Federata e Basketbollit të Kosovës ka publikuar edhe formacionin e javës për xhiron e 25-të në elitën e basketbollit kosovar.
Top 5-shja përbëhet nga dyshja e Yllit Chris Harris e Gëzim Morina, Larry Thomas i Pejës, Derrick Wilson i Prishtinës dhe Jack Pagenkopf i Rahovecit.
Në xhiron e 25-të në Superligën e Kosovës në basketboll, Prishtina fitoi derbin kundër Trepçës, Peja mposhti me rezultat të thellë Vëllaznimin, Ylli mposhti në shtëpi Ponte Prizrenin dhe Rahoveci triumfoi në shtëpi ndaj Bashkimit.