
Sulmuesi i Trepçës ’89, Christian Mba, është shpallur ‘Ylli i Javës’ për xhiron e gjashtë në Albi Mall Superligën e Kosovës, raporton Gazeta10.
Mba ishte njëri nga futbollistët më meritorë që skuadra e tij Trepça ’89 arriti të triumfoi si mysafir ndaj Drenicës më shifrat 2-5.
Për sulmuesin Mba kjo është hera e dytë që e fiton çmimin e ‘Yllit të Javës’ në këtë edicion, pasi të njëjtin e kishte fituar edhe në javën e parë.
Pas vlerësimit për herë të dytë me çmimin ‘Ylli i Javës’, Christian Mba ka thënë se ndihet i lumtur për ecurinë e mirë të tërë ekipit.
“Është një fillim i mrekullueshëm për mua dhe për skuadrën time. Jam këtu për të dhënë më të mirën time. Ky çmim nuk e pasqyron vetëm lojën time, por edhe punën ekipore të bashkëlojtarëve të mi dhe të shtabit teknik. Ne më të vërtetë po e bëjmë më të mirën me punë. Do të punojmë me përkushtim që të jemi në pjesën e epërme të renditjes dhe pse jo ta rikthejmë trofeun e kampionit në Mitrovicë dhe ta bëjmë të lumtur secilin qytetar të Mitrovicës”, ka theksuar Mba.
Mba është top golashënuesi i elitës së futbollit kosovar këtë edicion me gjashtë gola. /Gazeta10/