
Në emisionin “Mëngjesi me Arben Ahmetin”, është raportuar se vërshimet e ujit në Pejë kanë shkaktuar dëme natyrore ku shumë lisa janë rrëzuar, raporton Gazeta10.
Mirëpo gazetari Valdrin Daci në një lidhje direkte nga Peja thotë se gjendja vazhdon të jetë e qetë sot pasi që ende lumi Lumbardhi nuk ka dalur nga shtrati.
“Aktualisht jam në vendin ku dje ka qenë shumë rrezik, është ana e Lumbardhit, ku janë rrëzuar shumë lisa. Ka pasur gjasa edhe që lumi të del nga shtrati mirëpo me përpjekje të zjarrfikëseve dhe emergjencave është mënjanuar një gjë e tillë. Gjendja tani është e qetë, dje kjo lagje ka qenë cak i rrezikut. Ndërsa nga ana tjetër ka pasur edhe dëme nga lumi.”, ka thënë Daci.
Gazetari Daci, ka thënë se reagimet nuk kanë qenë të shpejta nga institucionet, mirëpo është arritur të menaxhohet situata.
Ndërkaq ai ka thënë se gjatë ditës së sotme qyteti i Pejës është i qetë sepse reshjet pothuajse janë ndalur tërësisht./Gazeta10