Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dalje e lartë në zgjedhjet në Serbi, raportohet për parregullsi

Gazeta10
25 October 2026 - 16:04

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi është regjistruar pjesëmarrje e lartë në votime deri në mesditë, teksa ka raportime për parregullsi.

Sipas Komisionit Republikan Zgjedhor, 34.55 për qind votuan deri në orën 12:00 të 25 tetorit, teksa para qendrave të votimit janë parë radhë të gjata.

Kjo është dalje më e lartë në votime krahasuar me zgjedhjet e vitit 2023, kur deri në të njëjtën kohë kishin votuar 21.33 për qind.

Ndërkaq, misioni vëzhgues i zgjedhjeve, Crta, raportoi se deri në orën 13:00, 41.1 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve kanë votuar. Deri në periudhën e njëjtë kohore në zgjedhjet e vitit 2023, dalja ishte 26.6 për qind.

Edhe në orët e hershme të mëngjesit, pjesëmarrja në zgjedhje ishte më e lartë sesa në votimet paraprake.

Nga Crta thanë më herët se pjesëmarrja në votime veçse është “jashtë trendit historik”. Rasha Nedelko nga ky mision raportoi për parregullsi, duke theksuar se deri në mesditë janë regjistruar gjithsej 14 për qind parregullsi procedurale.

Në mesin e parregullsive është fotografimi i fletëvotimeve, probleme me sprejin dhe llambat ultravjollcë dhe parregullsi të tjera.

Në këto zgjedhje, të tretat parlamentare në pesë vjetët e fundit, një lëvizje studentore e dalë nga një nismë qytetare po synon t’i japë fund pushtetit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit dhe Partisë Përparimtare Serbe (SNS).

Sipas misionit vëzhgues CRTA, vendvotimet në mbarë Serbinë u hapën kryesisht në kohë. Ndërkohë, Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSID) njoftoi se deri në orën 09:00 janë raportuar më shumë se 70 parregullsi gjatë votimit.

Sipas kësaj organizate, janë evidentuar raste të fotografimit të fletëvotimeve, përdorimit të telefonave, votimit jashtë kabinave dhe votimit familjar, përfshirë një raportim se një votues ka votuar në emër të një personi tjetër.

Policia serbe ka ndërhyrë në një lagje të Novi Sadit ku u mblodhën qytetarë. Disa persona thanë se kanë parë njerëz me para dhe zarfe. Ndërkaq, organizata Crta tha se gjashtë burra dhe një grua penguan një vëzhguese para një qendre votimi, duke e ofenduar.

Janë raportuar gjithashtu përplasje mes anëtarëve të këshillave të vendvotimeve, ndërprerje të përkohshme të votimit, incidente dhe kërcënime ndaj votuesve, si dhe probleme me materialin zgjedhor dhe verifikimin e votuesve.

“Veçanërisht shqetësues është pengimi i qasjes së vëzhguesve. Në disa vendvotime, vëzhguesve nuk u është lejuar qasja, ndaj duhet të kontaktojmë autoritetet përgjegjëse dhe të ndërhyjmë që ata të mund ta kryejnë punën e tyre”, tha CeSID-i.

Vendvotimet janë të hapura nga ora 07:00 dhe qytetrët e Serbisë mund të votojnë deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë. Votimi po zhvillohet në 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 ndodhen jashtë vendit.

Vuçiq dha dorëheqje nga posti i presidentit në fund të shtatorit. Meqë nuk mund të kandidojë për një mandat të tretë, ai tani synon të bëhet kryeministër, post që e mbajti nga viti 2014 deri kur u zgjodh president, më 2017.

Megjithatë, fushata zgjedhore është shoqëruar me shqetësime gjithnjë e më të mëdha se mund të ketë manipulime zgjedhore.

Zgjedhjet po ndiqen nga afër nga Bashkimi Evropian, i cili e ka kritikuar Serbinë për prapakthim në demokraci nën udhëheqjen e Vuçiqit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.