
Zyrtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, duke kërkuar llogaridhënie institucionale, shkarkime dhe ndëshkime për përgjegjësit.
Përmes një postimi, Haradinaj ka thënë se rasti tragjik nuk ka nevojë për moral politik, por për përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhe veprime konkrete nga institucionet.
Ai ka komentuar edhe pretendimet për lidhjet e të dyshuarit me persona të fuqishëm, duke theksuar se askush nuk duhet të konsiderohet i paprekshëm për shkak të mbiemrit Haradinaj.
“Askush nuk mund ta përdorë mbiemrin Haradinaj për të krijuar përshtypjen se dikush është i paprekshëm”, ka shkruar ai.
Haradinaj ka ngritur gjithashtu pyetje për reagimin institucional ndaj shqetësimeve që, sipas tij, duhej të trajtoheshin para se të ndodhte tragjedia. Ai i është referuar edhe avokates që kishte përfaqësuar Arlinda Zekajn, duke kërkuar sqarime për pretendimet e ngritura, si dhe reagim nga Oda e Avokatëve të Kosovës.
Duke folur për përmendjen e familjes së tij në këtë rast, Haradinaj ka paralajmëruar veprime ligjore ndaj kujtdo që, sipas tij, e përmend mbiemrin Haradinaj pa fakte ose e përdor atë për të kërcënuar të tjerët.
Në fund, ai ka kritikuar dështimin e institucioneve për t’i mbrojtur gratë nga dhuna, duke e cilësuar këtë si dështim të rëndë të sistemit të drejtësisë dhe sigurisë.
“Lufta me armë për ne përfundoi në vitin 1999. Që nga ajo ditë, e vetmja luftë që kemi është ajo për sigurinë e çdo qytetari të Kosovës, për sovranitetin e saj dhe për të ardhmen e saj”, ka përfunduar Haradinaj.