Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

KOMF për vrasjen e Arlindës: Kërkojmë zbardhje të plotë, përgjegjësi konkrete dhe mbrojtje për fëmijën

Gazeta10
26 October 2026 - 21:30

oalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF shprehu tronditjen dhe indinjatën e thellë për vrasjen e Arlinda Zekaj në Pejë, një nëne që kërkoi mbrojtje nga institucionet, luftoi për të drejtat e saj dhe për të qenë pranë fëmijës së saj, thuhet në reagim.

“Arlinda kërkoi ndihmë, denoncoi dhunën dhe bëri përpjekje të vazhdueshme për të siguruar përkujdesjen ndaj fëmijës së saj. Ajo iu drejtua institucioneve që kishin detyrimin ta mbronin. Megjithatë, sot ajo nuk jeton më dhe një fëmijë ka mbetur pa nënën e tij.

Është e papranueshme që një nënë, në përpjekje për të mbrojtur veten dhe për të qenë pranë fëmijës së saj, të përballet me pengesa, pasiguri dhe në fund të humbasë jetën.

Megjithëse Gjykata kishte marrë vendim që kujdesi për fëmijën t’i besohej Arlindës, ajo po pengohej në ushtrimin e të drejtave të saj si nënë dhe në të drejtën për të qenë pranë fëmijës së saj. Pengimi i ushtrimit të kësaj të drejte cenon të drejtat e fëmijës dhe kërkon reagim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse. Institucionet kanë detyrim të garantojnë zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe mbrojtjen efektive të të drejtave të fëmijës dhe të prindit.

Kjo ngjarje ngre shqetësime jashtëzakonisht serioze për funksionimin e mekanizmave institucionalë të mbrojtjes, përfshirë Policinë, Prokurorinë, Gjykatën dhe Qendrën për Punë Sociale. Dhuna ndaj grave është edhe çështje e sigurisë, mirëqenies dhe të drejtave të fëmijëve.

KOMF kërkon:

Hetim të menjëhershëm, të pavarur dhe të plotë të të gjitha rrethanave të rastit, përfshirë veprimet dhe mosveprimet e institucioneve përgjegjëse.

Llogaridhënie institucionale dhe individuale për çdo shkelje apo neglizhencë të konstatuar.

Mbrojtje të menjëhershme, mbështetje psikologjike dhe përkujdesje të sigurt për fëmijën duke garantuar interesin e tij më të mirë dhe privatësinë.

Fuqizimin e mekanizmave të mbrojtjes së grave dhe fëmijëve nga dhuna, përmes reagimit të koordinuar, vlerësimit të rrezikut, ofrimit të shërbimeve dhe zbatimit efektiv të vendimeve gjyqësore.

Ky rast nuk duhet të mbyllet me deklarata ngushëllimi. Kërkojmë zbardhje të plotë, përgjegjësi konkrete dhe mbrojtje të qëndrueshme për fëmijën. Dhimbja e kësaj familjeje nuk mund të mbetet pa përgjigje institucionale”, thuhet në reagimin Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.