Yjet e Barcelonës, Frenkie de Jong, Ousmane Dembele dhe Pedri janë rikthyer në stërvitje teksa blaugranasit janë afër titullit të parë në ligë në tri vitet e fundit.
Treshja e Barcelonës ishin ballafaquar me lëndime më herët këtë sezon. Dembele mori një lëndim në fund të janarit, Pedri u lëndua në mes të shkurtit, dhe De Jong vetëm pak para pushimit me kombëtare.
Ndërsa të tre kanë marrë pjesë në stërvitje, asnjë datë zyrtare sa i përket rikthimit nuk është bërë e ditur.
Sidoqoftë, është e mundshme se De Jong dhe Pedri do të paraqiten në sfidën që blaugranasit e zhvillojnë ndaj Atletico Madrid këtë vikend, raporton mediumi spanjoll “AS”.
Ky rikthim i treshes është i mirëseardhur për skuadrën e Xavit, pasi që Barcelona janë pa fitore në tri ndeshjet e tyre të fundit, dhe nuk kanë shënuar gol në pothuajse 400 minutat e fundit në të gjitha kompeticionet.
Pedri dhe De Jong duken në rrugë të duhur për t’u rikthyer këtë vikend, ndërsa Dembeles mund t’i duhet edhe pak kohë që t’i rikthehet fushës së gjelbër.