
Analisti politik Ilir Deda ka paralajmëruar se Kosova mund të përballet me një kaos të plotë institucional nëse deri më 4 tetor nuk zgjidhet Presidenti i vendit.
Duke folur në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Deda tha se aktualisht nuk sheh një zgjidhje për situatën politike.
“Nuk mendoj se ka zgjidhje në fund të tunelit. Fatkeqësisht, Kosova afatin e fundit për me zgjedh Presidentin e ka 4 tetorin. Nëse nuk ka President më 4 tetor, atëherë s’ka kryetar të shtetit”, deklaroi Deda.
Ai theksoi se Kushtetuta përcakton një afat prej gjashtë muajsh për ushtrimin e detyrës së Presidentit, ndërsa paralajmëroi se vendi mund të mbetet pa President.
“Kushtetuta thotë që veç 6 muaj mundesh me qenë ushtrues detyre. Praktika është e tillë dhe ne, për shkak të shkurtpamësisë politike të 6-shes së LDK-së, mundemi me përfundu pa President, në kaos të plotë institucional”, tha ai.
Sipas Dedës, gjashtë deputetët e LDK-së nuk janë përgjegjësit kryesorë për situatën e krijuar, por qëndrimi i tyre, sipas tij, po kontribuon në thellimin e krizës institucionale.
“Këta të gjashtë nuk janë përgjegjësit pse ne jemi në gjendje të tillë, por po kontribuojnë në kaosin institucional të Kosovës”, u shpreh Deda./Gazeta10