
Raporti: Bleona Dallaveraj / Kanal10
Gazetarë nga të gjitha mediat e vendit të mbështetur nga përfaqësues të shoqërisë civile, protestuan sot kundër vendimit për pezullimin e certifikatës së biznesit ndaj Televizionit Klan Kosova. Me moton “Demokracia vdes në errësirë”, gazetarët kërkuan nga qeveria që të ndalojë tentimin për shtypjen e fjalës së lirë.
“Demokracia vdes në errësirë”, nën këtë moto, gazetarët e të gjitha mediave në Kosovë, protestuan të hënën në shenjë solidarizimi me Klan Kosovën.
Në sheshin Zahir Pajaziti, ata i bashkoi një kauzë, mbrojtja e lirisë së fjalës dhe kundërshtimi i pezullimit të certifikatës së biznesit ndaj televizionit Klan Kosova.
Nga aty, gazetarët, të mbështetur edhe nga shoqëria civile, mes fishkëllimave, marshuan drejt objektit të qeverisë, ku, mjetet me të cilat raportojnë, i lëshuan në tokë.
Kjo si shenjë rebelimi pas tentimit të kësaj të fundit, për ta mbyllur televizionin nacional Klan Kosovën.
Nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thonë se me këtë protestë kanë përçuar mesazhe tek ekzekutivi që të mos e ndalë fjalën e lirë.
Drejtori i informacionit në Klan Kosova, Gazmend Syla, thotë se Qeveria duhet që të mundësojë lirinë e fjalës dhe demokracinë.
Mbështetje kolegëve të tyre në Klan Kosova, iu dhanë edhe shumë gazetarë e analistë në vend.
Madje, gazetari dhe analisti Milaim Zeka, vlerëson se Qeveria Kurti po e bënë një hap të tillë, për ta zhvendosur vëmendjen e mediave nga skandalet e ekzekutivit.
Edhe gazetarja Ardiana Thaçi, thotë se kjo qeveri po sillet ne mënyre totalitare, derisa ajo që po tentohet t’i bëhet Klanit e vë në pikëpyetje demokracinë e vendit.
Derisa gazetarët me fishkëllima po shprehnin revoltën e tyre ndaj cenimit të fjalës së lire, dikush nga Objekti i Qeverisë u sigurua që pamjet e tyre t’i ruaj në telefon.
Në fund të protestës, pjesëmarrësit e saj u shpërndanë të qetë.