
Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me burgim të përjetshëm Bllagoje Spasojeviq dhe Vlladimir Tolliq, ndërsa me 30 vite burg është dënuar Dushan Maksimoviq, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të ndodhur më 24 shtator 2023.
Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke e bërë rastin një nga ngjarjet më të rënda të sigurisë në vend vitet e fundit.
Lidhur me zhvillimet pas aktgjykimit, eksperti i sigurisë Drizan Shala ka paralajmëruar reagime të ndryshme në Serbi. Sipas tij, gjatë kohës së leximit të vendimit nga gjykata, mediat hibride në Serbi e kanë paraqitur atë si një veprim negativ për bashkëjetesën në Kosovë.
Ai theksoi se disa media e kanë interpretuar ngjarjen përmes prizmit të nacionalizmit politik të ekstremit të djathtë, duke shtuar se në ditët në vijim pritet intensifikim i narrativave propagandistike.
“Gjatë ditëve në vijim, sipas gjasave, do të shohim deformim të segmenteve të procesit gjyqësor, duke iu veshur elemente propagandistike,” u shpreh Shala.