
Avokati i njohur Emrush Kastrati, i ftuar në emisionin Gazeta foli për situatën aktuale politike në vend, me fokus te procesi i zgjedhjes së presidentit/es, afati i së cilës po afrohet drejt fundit.
Sipas Kastratit, përgjegjësia kryesore për këtë situatë bie mbi deputetët dhe klasën politike në përgjithësi. Ai theksoi se politikanët nuk po e përmbushin detyrën e tyre në interes të shtetit dhe të ruajtjes së autoritetit institucional.
“Në këtë drejtim, unë mendoj se klasa politike, kush më shumë e kush më pak, nuk janë duke e kryer detyrën e tyre për interes të shtetit,” u shpreh ai, duke shtuar se vendi ka mbetur për rreth një vit e gjysmë pa institucione kryesore funksionale.
Kastrati gjithashtu kritikoi partitë politike, duke theksuar se megjithëse ato kishin shumicën për të krijuar qeverinë, oferta aktuale nuk përfaqëson më një bashkëqeverisje të mirëfilltë.