Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Deputetët e PDK-së u lënë letra deputetëve të LVV-së: Respektojeni Kushtetutën, konstituojeni Kuvendin

Gazeta10
20 August 2026 - 11:27

Deputetët e PDK-së, të cilët po qëndrojnë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u kanë lënë në tavolinat e deputetëve të LVV-së letra me thirrje për respektimin e Kushtetutës dhe konstituimin e Kuvendit. 

Letrat u lanë gjatë seancës së thirrur nga PDK-ja, e cila kërkon që seanca konstituive të mbahet çdo 48 orë deri në përfundimin e procesit të konstituimit.

Deputetët e LVV-së nuk morën pjesë në seancë. PDK-ja i akuzoi ata se po refuzojnë të marrin përgjegjësinë kushtetuese për krijimin e institucioneve.

Në letër, deputetëve të shumicës u bëhet thirrje që mandatin ta ushtrojnë në interes të qytetarëve dhe jo sipas urdhrave partiakë.

“Kushtetuta është mbi partinë, Republika është mbi liderin politik dhe mandati qytetar mbi urdhrin politik”, thuhet në letër.

PDK-ja kërkoi gjithashtu përgjegjësi individuale për funksionalizimin e Kuvendit, duke theksuar se detyrimet kushtetuese nuk duhet të kushtëzohen nga kalkulimet politike.

Në fund të letrës, deputetëve u bëhet thirrje: “Respektoni betimin tuaj. Respektojeni mandatin tuaj. Respektojeni Kushtetutën. Konstituojeni Kuvendin. Bëjeni detyrën tuaj.”

PDK-ja ka paralajmëruar se do të vazhdojë të kërkojë mbajtjen e seancës konstituive çdo 48 orë, deri në funksionalizimin e Kuvendit.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.