
Lëvizja Vetëvendosje e ka prioritet zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, ka deklaruar deputeti i kësaj partie, Adnan Rrustemi.
Në një intervistë për KosovaPress, Rrustemi tha se LVV-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet që deri më 6 tetor të zgjidhet Presidenti, ndërsa u bëri thirrje Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që të ndryshojnë qëndrimin e tyre lidhur me këtë çështje.
Sipas tij, pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale më 16 shtator, partitë opozitare duhet të reflektojnë dhe të angazhohen për gjetjen e një konsensusi për zgjedhjen e Presidentit.
“Këto 12 ditë janë 12 ditë për presidentin. Vërtetë është shkurtuar mjaft shumë afati, por secila parti politike duhet ta ketë parasysh se kjo është gjëja më e rëndësishme për t’i dhënë vendit stabilitet dhe për t’i shmangur zgjedhjet që të pajtohemi për presidentin konsensual. Kosova ka nevojë për president, nuk ka nevojë për zgjedhje të reja. Dhe ka nevojë për një president konsensual dhe kështu t’i krijojë mundësinë për stabilitet institucional dhe të përballet me të gjitha sfidat, me punët natyrisht që na presin edhe ato që u përmendën. Do të habitesha shumë që edhe pas 16 shtatorit, nëse partitë politike opozitare kanë qëndrimet e njëjta sikurse para 16 shtatorit. Unë mendoj që pas 16 shtatorit secila parti politike opozitare që ka kalkuluar për ta pamundësuar Qeverinë Kurti duke kufizuar në mandat nëpërmjet procesit të zgjedhjes së Presidentit të Republikës, duhet të reflektojë dhe duhet të ulemi dhe të gjejmë një konsensus për sa i përket presidentit dhe pastaj të vazhdojmë punën, natyrisht secili në rolin dhe pozicionin e tij apo të saj”, deklaroi ai me tjerash.