Një person kishte pësuar lëndime të rënda trupore natën e 31 dhjetorit, pas shpërthimit të një pike shitjeje të mjeteve piroteknike në Prizren.
Personi në fjalë i cili mori këto lëndime, sot është nisur për në Turqi për t’u mjekuar.
Qytetari Abdurrahman Memaj pas lëndimit nga zjarri i madh ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku ka qëndruar deri më 6 janar.
Por sot Memaj është nisur për në Turqi.
Bashkësia Islame e Kosovës ka njoftuar se në bashkëpunim me Ambasadën turke në Prishtinë, kanë mundësuar që personi i lënduar të dërgohet me aeroplan special për në Turqi.
Sipas BIK-ut, trajtimi do të bëhet në Qendrën Hulumtuese Spitalore për djegie të thella në Stamboll.
Ngjarja e rëndë kishte ndodhur në rrugën “Ahmet Prishtina” në Prizren, në natën e Vitit të Ri.
Zjarri ishte përhapur edhe në lokalet dhe ndërtesat rreth pikës së shitjes.
Autoritetet pritet të bëjnë vlerësimin e saktë të dëmeve.