
Raporti: Viola Korça
Në dhomat e Specializuara të Kosovës, ka përfunduar dëshminë kundër Thaçit dhe të tjerëve, dëshmitarja Dragica Bozhaniq, e cila ka folur për periudhën e vitit 1998, në të cilën pretendon se ushtarët e UÇK-së, sulmuan familjen e saj dhe banorët tjerë të fshatit ku jetonin. Mirëpo, mbrojtja e ish-presidentit Thaçi e ka ballafaquar me deklaratat e mëparshme, të cilat binin në kundërshtim me ato të tanishme.
Dragica Bozhaniq, ka qenë dëshmitarja e radhës në procesin gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Në dëshminë e saj, teksa ka folur për ngjarjet e muajit korrik të vitit 1998, në komunën e Rahovecit, Bozhaniq ka thënë se ushtarët e UÇK-së e kanë sulmuar familjen e saj dhe banorët përreth për t’i larguar nga shtëpitë e tyre.
Ajo ka thënë se nga ajo kohë, nuk di asgjë për djalin dhe burrin e saj.
“Ata na morën ne, na sulmuan nga data 17 duke u gdhirë 18 korriku, me 18 korrik na morën nga oborri dhe kur e pash këtë burrin u befasova sepse kishte pasur një marrëveshje përpara që ndryshe rënë dakord. Na morën, hynë në shtëpitë tona me forcë, kërkuan disa gjëra, nuk e dimë se çfarë, na thanë uluni në tokë, ne u ulëm, djalin ma plagosën, se hodhën granatë dore në shtëpi dhe ai u rrëzua, i ranë tullat në fytyrë, i plagosen dhe sytë, kur e pash unë fillova të qaj dhe nuk e dija çfarë të bëja”.
Dëshmitarja ka thënë se bashkëshorti i saj shoqërohej me shumë me shqiptarët sesa me serbët.
Derisa ka folur për periudhën e korrikut të vitit 1998, dëshmitarja ka përmendur ndalimin që sipas saj u ishte bërë atyre, por që sipas saj ata kanë thënë se nuk kishin qëllim që ti vrasin.
“Askush nuk na ka thënë asgjë neve nga fshati jonë apo personave nga fshati tjetër, thjeshtë kanë thënë nuk ju kemi marrë me qëllim të ju vrasim sepse po të kishim dashur ta bënim këtë do ta bënim në oborrin tuaj. Megjithatë njerëzit vazhduan të mbaheshin të ndaluar në ato shtëpi”.
Gjatë kësaj dëshmie, dëshmitarja ka thënë se ajo dhe gratë e tjera që sipas saj ishin të ndaluara, ishin liruar nga Kryqi i Kuq.
Bozhaniq gjatë dëshmisë së saj, është ballafaquar edhe nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi.
Avokati Gregory Kehoe, e ka ballafaquar atë, me deklaratat e saj të mëparshme, duke shpërfaqur kundërthënie me deklaratat në këtë seancë.
Avokati Kehoe: Të gjithë këta persona kur mbërritën në shtëpinë tuaj me datë 17, të gjithë kishin armë me vete, apo?
Dëshmitarja Bozhaniq: Po, por unë nuk i kam parë.
Avokati Kehoe: Atëherë nuk i ke treguar gjykatësit që nuk i ke parë armët.
Dëshmitarja Bozhaniq: Po. Ata ishin të parët që hapën zjarr duke shtënë në drejtim të shtëpisë sonë, menjëherë pasi thërriten emrin e bashkëshortit tim, tha në gjuhën tonë, mos dilni, hapën zjarr menjëherë nga të gjithë drejtimet, pastaj kush shtiu me armë e kush nuk shtiu nuk e di, ne ishim në bodrum, ne gratë, ndërkohë burrat ishin në katin tjetër.
Bozhaniq pas përgjigjeve në pyetjet e avokatëve, ka përfunduar dëshminë e saj, derisa procesi gjyqësor do të vazhdojë me 28 gusht me dëshmitarin e radhës.
Në këtë proces gjyqësor deri tani janë dëgjuar shtatëmbëdhjetë dëshmitarë të ZPS-së, vetëm dy prej tyre pa masa mbrojtëse dhe në seanca të hapura për publikun./Gazeta10