Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dhoma e Tregtisë: Kriza politike dhe zgjedhjet e reja po godasin ekonominë e Kosovës

Gazeta10
02 Maj 2026 - 14:07

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë ka vlerësuar se kriza politike dhe shkuarja në zgjedhje të reja po krijojnë pasiguri serioze për ekonominë e Kosovës, duke rrezikuar stabilitetin e bizneseve dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi.

Këto shqetësime u ngritën gjatë një takimi të organizuar nga DHTIK me komunitetin e biznesit, ku u diskutuan sfidat aktuale të sektorit privat dhe ndikimi i situatës politike në ekonomi.

Drejtori ekzekutiv i DHTIK-së, Kushtrim Ahmeti, tha se zgjedhjet e shpeshta po prodhojnë kosto të drejtpërdrejta për ekonominë.

 

 

 

“Çdo proces i ri zgjedhor nënkupton muaj të tërë të humbur për vendimmarrje dhe projekte zhvillimore. Kjo po u kushton bizneseve me vonesa, humbje financiare dhe pasiguri të mëdha për të ardhmen dhe investimet. Ekonomia nuk mund të presë pafundësisht cikle politike – ajo ka nevojë për stabilitet të menjëhershëm”, deklaroi ai.

Ndërkaq, kryetari i Bordit të DHTIK-së, Skender Krasniqi, dhe kryetari i Kuvendit të kësaj dhome, Hamdi Malushaj, theksuan se institucioni ka qenë aktiv në adresimin e sfidave dhe kërkesave të sektorit privat, pavarësisht vështirësive me të cilat është përballur vendi.

Përfaqësues të bizneseve që morën pjesë në takim ngritën shqetësime për rritjen e kostove të prodhimit, importin e lartë, mungesën e mbështetjes institucionale dhe vonesat në vendimmarrje.

Në takim u theksua se stabiliteti politik mbetet parakusht për zhvillim ekonomik dhe për krijimin e një ambienti më të favorshëm për bizneset dhe investimet.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.