Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Vjedhja e dy trafove, deklarohen nga Trepça: Ishin jashtë funksionit, s’ndikojnë në operimin e ndërmarrjes

Gazeta10
02 Maj 2026 - 14:26

Ndërmarrja publike Trepça Sh.A. ka reaguar pas vjedhjes së  dy trafove në hapësirat e saj, duke sqaruar se pajisjet në fjalë kanë qenë jashtë funksionit prej një periudhe të gjatë.

Sipas njoftimit, trafot kanë shërbyer më herët në njësi që aktualisht janë pasive dhe, si të tilla, nuk kanë ndikim në operimin apo afarizmin aktual të ndërmarrjes.

“Trafot në fjalë nuk kanë qenë në funksion për një periudhë të gjatë kohore dhe kanë shërbyer më herët në njësi që aktualisht janë jashtë funksionit (pasive). Si të tilla, këto nuk kanë ndikim në afarizmin dhe operimin aktual të ndërmarrjes”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, nga Trepça bëhet e ditur se pajisjet kanë qenë në proces të planifikuar për zhvendosje edhe para se të ndodhte rasti.

Menaxhmenti i ndërmarrjes ka paralajmëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme, përfshirë formimin e komisioneve për vlerësimin e dëmit dhe shqyrtimin e rrethanave, si dhe bashkëpunimin me organet kompetente.

“Menaxhmenti i ndërmarrjes do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, përfshirë formimin e komisioneve për vlerësimin e dëmit dhe shqyrtimin e plotë të rrethanave të rastit, si dhe do të bashkëpunojë me organet kompetente”, thuhet më tej.

Ndërmarrja ka theksuar se opinioni publik do të informohet për zhvillimet e mëtejme me kohë.

 

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.