
Raporti: Saranda Aliu
Shuma e remitencave në Kosovë, për çdo vit po shënon rritje. Në vitin 2022, bashkatdhetarët kanë sjellur të ardhura mbi 1 miliard e 222 milionë euro në vendlindje. Për disa bashkëatdhetarë rritja e çmimeve nuk i ka ndal t’u sjellin para familjarëve, e për disa të tjerë si pasojë e kësaj u kanë dështuar planet për investime në Kosovë.
Të ardhurat nga bashkatdhetarët në Kosovë për vitin 2022 e kanë kaluar vlerën e 1 miliard eurove.
Në po këtë vit, vendi fitoi mbi 1 miliard e 222 milionë euro të ardhura ose rreth 69 milionë euro më shumë se në vitin 2021.
Kjo është bërë e ditur nga Banka Qendrore e Kosovës. Por sipas këtij institucioni njëjtë nuk pritet të jetë edhe sivjet.
“Rreziqet kryesore për stabilitetin financiar në nivel global vazhdojnë të mbesin: tensionet e rritura gjeopolitike, ritmi i ngadalshëm i rënies së inflacionit dhe për pasojë, vazhdimi i shtrëngimit të politikave monetare përmes rritjes së normave të interesit. Dinamikë që rrezikon të mbaj eurozonën, vendet e rajonit dhe Kosovën në një ambient me aktivitet të dobësuar ekonomik”.
Njohësit e çështjeve ekonomike, remitencat po i vlerësojnë si arterie e ekonomisë së vendit.
Megjithatë thonë se nëse këto të ardhura orientohen në konsum, nuk do të ketë efekte.
E rritjen e çmimeve e kanë ndjerë edhe mërgimtarët, por pavarësisht kësaj thonë se po vazhdojnë t’u dërgojnë para familjarëve të tyre.
Por njëjtë nuk është edhe për disa të tjerë, që inflacioni ua ka pamundësuar investimet e planifikuara në vendlindje.
Gjatë vitit 2021, diaspora ka dërguar 1 miliard e 143 milionë euro.
Pavarësisht masave të pandemisë COVID-19, vlera e sjellë në Kosovë ka qenë mbi 160 milionë euro më shumë se viti 2020.
Ndërkaq, Gjermania është shteti ku më së shumti dërgohen para në drejtim të Kosovës. /Gazeta10/