Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Diplomanti holandez pret që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat e Speciales

Gazeta10
08 April 2023 - 19:52

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës nga Dhomat e Specializuara, të shpallen të pafajshëm. Diplomati holandez mendon se edhe veprimi i Shqipërisë për të pasur një rezolutë tjetër për të mbivendosur atë të senatorit Dick Marty në Këshillin e Evropës, që shërbeu si bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara, është i duhuri.

Ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ngre pikëpyetje nëse do të duhej të ekzistonte Gjykata Speciale pasi sipas tij u konfirmua se nuk qëndrojnë akuzat për trafikim organesh mbi të cilat ishte ngritur kjo gjykatë.

Diplomati holandez pret që ish krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat.

“Unë pres që të gjithë të lirohen, natyrisht. Por dua të them pak më shumë se kaq, sepse mendoj se i gjithë gjykimi, e dini, u habita që një prokuror tha se nuk është një gjyq kundër UÇK-së por është kundër individëve. Deri më tani ata kishin thënë gjatë gjithë kohës se UÇK-ja ishte organizatë kriminale. Se kinse ata janë drejtuesit e kësaj organizate kriminale, ata janë përgjegjës për gjithçka që kanë bërë. Tani, prokurori tha pak më ndryshe, tani tha se nuk është kundër UÇK-së por është kundër individëve. Gjithsesi, problemi me gjithë këtë gjë është se ajo ishte e bazuar në raportin e Martyt”.

Bosch mendon se edhe veprimet e shtetit të Kosovës duhej të ishin ndryshe pas publikimit të raportit të seantorit Marty.

Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të hetojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe ato vrasje, masakra, përdhunime, rastet e personave të pagjetur e dëmtime pronash nga ana e serbëve.

“Kryeministri Rama ka sjellë tani në Këshillin e Evropës edhe një rezolutë të re për të korrigjuar atë raport, sepse ai raport, përderisa nuk korrigjohet, është ende aty, por në fakt ishte një raport i gabuar. Domethënë e gjithë gjykata bazohet në këtë, kështu që është një nismë shumë e mirë e Ramës për të bërë diçka, për ta hequr qafe atë. Nuk e di nëse mund ta heqësh qafe gjykatën, sepse, le të themi, ka shumë interesa fikse tani, por e gjithë baza e gjykatës është e gabuar”.

Dek. Robert Bosch – Ish ambasadori i Holandës në Kosovë

Bosch thotë se puna me këtë gjykatë nuk do të duhej të vazhdonte pasi prokurori amerikan Clint Williamson kishte nxjerrë raportin në të cilin vërtetoi se nuk ka dëshmi për trafikim të organeve.

Në Gjykatën Speciale në Hagë të martën fillon paraqitja e provave në çështjen ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët akuzohen për krime të pretenduara të luftës. Gjykimi i madh pritet të marrë disa vjet meqë prokuroria ka paralajmëruar qindra dëshmitarë që do të flasin kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.