
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar paraburgim ndaj një personi për veprën penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Përmes një komunikate për media, bëhet e ditur se i njëjti më 21 gusht (të mërkurën), ka hedhur lëndë djegëse në dy vetura të Policisë së Kosovës në Gjakovë, ku si pasojë kanë përfunduar të djegura.
Po ashtu, thuhet se është kërkuar për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 21.08.2024 rreth orës 17:45 minuta para objektit të policisë së Kosovës-Drejtorisë Rajonale në Gjakovë, me dashje dhe me qëllim që të bëjë shkatërrim të objektit dhe të automjeteve zyrtare ka shkaktuar dëm material dhe rrezik të madh për jetën e zyrtarëve policor, në atë mënyrë që ditën kritike i pandehuri T.K., i pajisur me katër shishe të mbushura me benzinë dhe vaj të djegur, afrohet tek objekti i policisë dhe i hedh të gjitha shishet në drejtim të objektit të cilat përfundojnë në dy automjete zyrtare të policisë ku të njëjtat i kaplon zjarri mirëpo me shpejtësi reagojnë zyrtarët policorë dhe e shuajnë zjarrin dhe më pas e arrestojnë të pandehurin i cili ishte duke u larguar nga objekti i policisë. Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri, ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 par.3 lidhur me par. 1 të KPRK-së”, thuhet në komunikatën e plotë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën në Gjakovë ka arrestuar një person i cili dyshohet që ka hedhur lëndë djegëse në disa vetura të tyre.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili kishte njoftuar se dy vetura janë përfshirë nga zjarri i cili është lokalizuar shpejtë.