
Me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, institucionet e Kosovës kanë organizuar një vizitë në lokacionin e varrit masiv në Kalludër të Komunës së Zubin Potokut.
Vizita është organizuar nga Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Instituti për Mjekësi Ligjore, në bashkëpunim me shoqatat e familjeve të personave të zhdukur.
Në këtë lokacion, familjarë të personave të zhdukur kanë shprehur dhimbjen e tyre, por edhe shpresën se të afërmit e tyre do të gjenden dhe do të kenë një vend ku mund të prehen me dinjitet.
“Do ta kenë një vend ku t’prehen në tokën e tyre”, ka thënë një familjare, duke iu referuar personave të zhdukur dhe pritjes së gjatë të familjeve të tyre për zbardhjen e fatit të tyre.
Familjet e personave të zhdukur vazhdojnë të kërkojnë zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre dhe identifikimin e mbetjeve mortore, në mënyrë që ata të varrosen me dinjitet./Gazeta10