
I ka kaluar të gjitha grupmoshat me kombëtaren e Kroacisë, por në nivelin senior vendosi që ta përfaqëson Kosovën, vendin prej nga vinte.
Veldin Hoxha debutoi me kombëtaren e Kosovës në shtator të këtij viti në fitoren 2-0 kundër Suedisë dhe ishte pjesë e gjithë kampanjës kualifikuese të Botërorit, që ishte historike për Dardanët.
23-vjeçari në një intervistë për Kanal10 deklaroi se përfaqësimi i Kosovës në nivel ndërkombëtar është një ndjenjë speciale për të.
“Të luaj për Kosovën është më të vërtetë një emocion shumë i madh për mua. Është diçka që nuk përshkruhet me fjalë”, tha fillimisht anëtari i Rubin Kazan.
Kualifikimi në play-off për një vend në Botëror ishte suksesi më i madh i kombëtares së Kosovës deri më tani. Hoxha thotë se ky sukses ka ardhur falë punës së madhe të shtabit teknik dhe atmosferës së mirë që mbretëron në kampin dardan.
“Është një sukses shumë i madh për shtetin tonë. Kemi një ekip shumë cilësor dhe po ashtu stafi teknik në krye me trajnerin Foda kanë bërë një punë të jashtëzakonshme. Më e rëndësishmja është që atmosfera në kamp është e jashtëzakonshme”, shtoi tutje mesfushori i Kosovës.
Kosova do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinale të play-offit, për të kërkuar një vend në finalen e madhe.
Mesfushori beson në fuqinë e ekipit dhe shprehet optimist se ky grup mund ta prekë Botërorin.
“Ne do të bëjmë maksimumin për ta fituar këtë përballje. Me këtë grup kualitativ kemi shumë gjasa që të shkojmë në Botëror, që do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm”, deklaroi Hoxha.
Mesfushori 23-vjeçar u shpreh i lumtur që finalja potenciale e play-offit do të luhet në “Fadil Vokrri”.
“Do të ishte diçka e jashtëzakonshme që një ndeshje të tillë ta luanim para tifozëve tanë. Përkrahja e tyre do të ishte një armë e fortë për në. Kosova meriton një sukses të tillë historik dhe ta arrinim në shtëpi do të ishte diçka madhështore”, deklaroi mesfushori.
Për fund, Hoxha ka është një mesazh për Dardanët.
“Do të japim gjithçka nga vetja për të iu bërë krenar në përballjet e play-offit dhe shpresojmë që se bashku ta shkruajmë historinë”, përfundoi ai.
Kosova më 26 mars do të përballet me Sllovakinë në gjysmëfinale të play-offit për një vend në Botëror. Në rast të fitores, Dardanët më 31 mars e presin në “Fadil Vokrri” fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.