
Deklarata e ministrit të jashtëm të Togos në Beograd, Robert Dussey për tërheqjen e njohjes së shtetit të tij ndaj Kosovës, shënon një situatë të re për diplomacinë kosovare.
Megjithë përpjekjet e ditëve të fundit për t’i demantuar deklaratat e Vuçiqit për tërheqjen e njohjeve, të hënën pasdite ka ardhur goditja e parë serioze nga vetë Togo.
Është po i njëjiti ministër togolez që e pati njohur Kosovën në vitin 2014, Robert Dussey
Në letrën verbale të asaj kohe të Togos, të cilën e ka siguruar Gazeta 10, që mban datën 2 korrik 2014, thuhet se “Togo e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës në shkurt 2008 dhe realitetin e ri të Kosovës si shtet të pavarur dhe Sovran”.
Ministri i atëhershëm i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e kishte vizituar dy herë Togon para njohjes.
Pas vendimit të njohjes, ministri i jashtëm i Togos, Robert Dussey e kishte vizituar Kosovën për të nënshkruar marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve.
MPJD ende nuk e ka komentuar këtë deklaratë dhe vendim të Togos për tërheqjen e njohjes./Gazeta10