
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka komentuar dorëheqjen e ish-ministrit të shëndetësisë, Rifat Latifin, ku ndër të tjera ka thënë se kjo shpreh problemet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, raporton Gazeta10.
Abdixhiku ka thënë se për këtë që ka ndodhur nuk mund të kërkohet përgjegjësi vetëm tek ministrat por edhe tek kryeministri.
Ai ka thënë se ky është problem i keqmenaxhimit dhe paaftësisë së Kurtit për organizimin e punës së qeverisë.
“Ndryshimi i tre ministrave në vetëm një vit e gjysmë nuk mund të jetë problem i vetë ministrave. Jo, ky është problem i keqmenaxhimit dhe paaftësisë së Kurtit për të organizuar punën e Qeverisë; për dorëheqjen e fundit të Latifit, ministrit të tretë me radhë, nuk duhet të kërkojmë përgjegjësi vetëm nga ministrat, por edhe nga kryeministri”, ka thënë ai.
Tutje, Abdixhiku ka thënë se partia që ai drejton dhe qytetarët janë bashkë dhe janë të pandarë.
“LDK dhe qytetarët janë bashkë dhe të pandarë. Raporti ynë me qytetarë është jetik për të ardhmen e zhvilluar dhe të sigurt të Republikës”, tha Abdixhiku. / Gazeta10