
“Kryengritja e Lidhjes Demokratike të Kosovës” ka qenë tema e së enjtes në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, e ku i ftuar ishte deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, përballë komentatorëve politikë Fidan Ramës, Fatime Hajdarit dhe Viktor Buzhalës, të cilët diskutuan për zhvillimet e fundit në vend.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka komentuar bisedat mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Sllavko Simiqit.
Selmanaj ka thënë se për LDK-në ka qenë e papranueshme komunikimi me një kriminel, i cili është përgjegjës për sulmin e Banjskës, teksa ka ironizuar me shefen e Grupit Parlamentar të VV-së.
Ai ka thënë se Kusari-Lila është në gjendje të rëndë, pasi së fundi asnjë deklaratë nuk e ka të njëjtë.
Sipas Selmanajt, shefja e VV-së ka kaluar nga mohimi i bisedave me Simiqin tek pranimi dhe shpjegimi i fjalës “brate”, që ajo i drejtohej deputetit të Listës Serbe.
“Ajo është në gjendje të rëndë po e shoh, herë thoshte s’kam bisedu, herë thoshte kam bisedu. Tash së fundi ka fillu me i pranu të gjitha, tash madje po na jep shpjegim se si i thonë serbët “brate”, tha Selmanaj.
Madje Selmanaj tha se arsyeja se pse Lëvizja Vetëvendosje nuk po merr pjesë në seancë është pikërisht se këta të fundit frikësohen se mund ta zemërojnë Kusari-Lilën sepse sipas tij, “kur ajo zemërohet e thotë të vërtetën”.
“Ne si opozitë kemi kërku mjetet demokratike që të mbahet seancë të rregullt kemi kërkuar që kjo temë të diskutohet në seancë të rregullt, shumica parlamentare na ka mujtë me votë, atëherë ne kemi të vetmin mjet kushtetues, seancat e jashtëzakonshme. Të piskamës, të dhunës, të gazit janë këta, ky është modeli i tyre ne s’jemi të tillë”, ka thënë Selmanaj, i cili iu kundërpërgjigj deputetit Arber Rexha, i cili të martën tha se nuk marrin pjesë në séance kur ka debate linçuese e piskamë.
Kritikat për Lëvizjen Vetëvendosje, Selmanaj nuk i kurseu as për koordinatoren e komiteteve të VV-së, Dejona Mihalin, për të cilën tha se Kosova po varet nga ajo dhe se vendimmarrja ka kaluar në një tjetër dimension dhe përtej kushtetutës.
“Vendimarrja ka kaluar përtej kushtetues, përtej procese demokratike dhe përtej njerëzve që janë votuar. Ne tash varemi nga Dejona Mehali, që në fakt nuk ka legjitimitet popullor e as pozitë ekzekutive. Dikush jashtë institucioneve urdhëron kur të ndalet edhe rryma”, tha Selmanaj në “Politiko”.
Megjithatë nuk munguan as akuzat e forta nga deputeti Selmanaj.
Ai akuzoi kryeministrin e vendit, Albin Kurtin se është i implikuar në skandalin me rezervat shtetërore, derisa i bëri thirrje Prokurorisë Speciale që ta intervistojë edhe këtë të fundit.
I bindur, Selmanaj thoshte se ekzistojnë edhe emaile që e dëshmojnë se Kurti ka kërkuar 10 milionë euro që të ndahen nga Fondi Emergjent për blerje, duke iu shmangur procedurave të rregullta.
“Unë jam i bindur që ministrja dhe njerëzit vartës të saj do të intervistohen nga Prokuroria. Ndoshta, ndoshta duhet parë edhe implikimet e kryeministrit. Ka email që i është dërguar nga ana e Rozetës dhe Kurti më pas e ka mbledhur qeverinë dhe e ka vendos që 10 milionë euro të shkojnë, duke iu shmangur procedurave të rregullta të blerjes së rezervave shtetërore”, tha Selmanaj.
Ndërkaq kritikat e shumta që Selmanaj jepte për Qeverinë e Kosovës shkaktuan debat tek panelistët.
Ka qenë komentatorja politike, Fatime Hajdari, e cila ka kritikuar Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe partitët e tjera të opozitës për mungesë të kauzës, ndërsa i ka thënë Selmanajt se ata e kanë bërë “hisenik” Serbinë në Liqenin e Ujmanit.
Mirëpo kjo “acaroi” deputetin Selmanaj, i cili i është kundërpërgjigjur se ajo nuk ka informacione lidhur me këtë çështje.
Por debati agravoi kur Hajdari gjithashtu i tha Selmanajt se në kohën e qeverisjes Hoti është larguar fletarresti për Radojçiqin.
“Në kohën e qeverisjes së zotrit Hoti është larguar edhe fletarresti i Radojçiqit. Kandidatët që kanë qenë për deputetë në listën e LDK-së kanë thënë se kjo ka ardhur për shkak të presionit politik se kush ka dhënë presion, ata nuk e kanë thënë”, tha Hajdari.
“Këtë diskutim që e dëgjova është niveli më i ulët që kam dëgju ndonjëherë. Krejt struktura e fjalisë është shpifje, shpifje, akuza të pabaza”, i është kundërpërgjigjur Selmanaj.
Debatat nuk munguan as në mes të analistit politik Buzhalës dhe Selmanajt.
Gazetari dhe njëherësh analisti politik Viktor Buzhala ka thënë se tek Lumir Abdixhiku nuk sheh një lider të fortë dhe nuk e sheh si një lider me kauzë, teksa tha se qoftë në formë direkte ose indirekte edhe LDK ka biseduar me Listën Serbe dhe Radojçiqin.
“Të ka kallëzu populli sa ki të drejtë, të ka rrëzu, të ka përgjysmu”, i tha Buzhala, teksa Selmanaj thoshte se koha po e dëshmon se LDK ka pasur të drejtë.
“Unë thash që ka qenë një “shok” për LDK-në”, tha Selmanaj.
“Unë të kallëzova që s’është “shok”. Po ti s’m kallëzove çka rrejta?”, tha Buzhala.
“Ti rrejte se the këta kanë bisedu me Radojçiqin, qoftë direkt apo indirekt”, u kundërpërgjigj Selmanaj, i cili tha se Buzhala po tenton të thotë që LDK e ka bërë zëvendëskryeministër Rakiqin.
“Unë thash ose direkt ose indirekt. Ka qenë bosi i veriut krejt Kosova e din edhe bosi i Listës Serbe”, ia ktheu Buzhala.
Ndërkaq gazetari Fidan Rama ka thënë gjithashtu se kryeministri Albin Kurti e ka bindur popullin se ish-emisari i SHBA-së, Richard Grenell po bënë marrëveshje pa Shtëpinë e Bardhë.
“Në vitin 2021 Albin Kurti e ka bindur një popull të tanë që bëhet fjalë për marrëveshje private të Grenellit dhe jo për Shtëpi të Bardhë dhe s’ki ça e diskuton këtë temë këtu”, ka thënë Rama.
Krejt në fund, debati u “shtensionua” kur deputeti Selmanaj teksa po tregonte se a e njihte Dejona Mihalin kur ishte në shoqëri civile, ai iu drejtua gabimisht komentatores Hajdari si “Zonja Dejonë”, e cila shkaktoi të qeshura në studion e “Politikos.”
Ndryshe, të mërkurën në “Politiko” është diskutuar për mospjesëmarrjen e VV-së në séancën parlamenatare si dhe aksionin e opozitës, e të ftuar kanë qenë deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj përballë analistëve, ku nuk munguan debatet e përplasjet mes tyre. /Gazeta10/