
Eksperti i sigurisë Dizan Shala, në një lidhje direkte në emisionin “Gazeta” në Kanal10, ka komentuar vendimin e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme për nisjen e procedurave drejt krijimit të Xhandarmërisë së Kosovës.
Shala tha se ky është një veprim i mirëpritur në aspektin e përmbushjes së arkitekturës së sigurisë në Republikën e Kosovës, duke kujtuar se krijimi i Xhandarmërisë ishte paralajmëruar që në vitin 2023, pas sulmit terrorist në Banjskë.
Sipas tij, sulmi i organizuar në veri, të cilin e cilësoi si të financuar dhe orkestruar nga Beogradi zyrtar, ka bërë që institucionet e sigurisë të analizojnë nevojën për krijimin e një strukture të specializuar për operacione taktike dhe operative.
“Është analizuar nga këndvështrimi operacional dhe taktik që Kosovës i nevojitet një Xhandarmëri, e cila do të shkarkonte Policinë e Kosovës nga angazhimet taktike-operacionale për garantimin e rendit dhe sigurisë”, deklaroi Shala.
Ai theksoi se, edhe pse procesi ndodhet në fazën fillestare, Kosova tashmë ka ngritur kapacitete të caktuara pas ngjarjeve në Banjskë, duke përmendur njësitë e ndërhyrjes së shpejtë kufitare.
Sipas Shalës, këto njësi pritet që në të ardhmen të integrohen në kuadër të strukturës së re të Xhandarmërisë, e cila do të funksionojë në kuadër të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në fund, ai e cilësoi krijimin e Xhandarmërisë si një hap strategjik dhe vizion për përballimin e kërcënimeve dhe veprimeve asimetrike që mund të vijnë nga Serbia në të ardhmen.