
Aktorja e njohur Angelina Jolie ka folur hapur për jetën e saj personale dhe karrierën, duke pranuar se ndihet e kufizuar në Hollywood dhe se do të dëshironte të largohej nga Los Angelesi, të cilin e konsideron një vend “sipërfaqësor”.
Në një intervistë për Wall Street Journal Magazine, fituesja e çmimit Oscar tha se, nëse do ta niste sot karrierën nga e para, ndoshta nuk do të zgjidhte rrugën e aktrimit. Megjithatë, ajo theksoi se nuk mund të heqë dorë nga ky profesion, pasi mbetet burimi kryesor i të ardhurave që i mundëson të mbështesë familjen dhe standardin e jetesës që ka ndërtuar ndër vite.
Jolie zbuloi gjithashtu se shpreson të kalojë më shumë kohë në shtëpinë e saj në Kamboxhia dhe se një ditë dëshiron të zhvendoset atje.
“Kjo lidhet me atë që ndodhi pas divorcit tim. E humba mundësinë për të jetuar dhe udhëtuar lirshëm”, u shpreh Jolie, duke iu referuar betejës së gjatë ligjore me ish-bashkëshortin e saj, Brad Pitt.
Ajo shtoi se do të largohet nga Los Angelesi sapo t’i krijohet mundësia.
Në intervistë, aktorja foli edhe për sfidat emocionale me të cilat është përballur vitet e fundit, duke pranuar se nuk ka pothuajse fare jetë sociale.
“Nuk kam ndonjë jetë të mirëfilltë sociale”, tha ajo.
Jolie vuri theks të veçantë te roli i nënës, duke treguar se ardhja në jetë e fëmijëve ndryshoi tërësisht mënyrën se si e shihte botën.
“U bëra nënë në moshën 26-vjeçare. E gjithë jeta ime ndryshoi. Fëmijët më shpëtuan dhe më mësuan ta jetoj këtë botë në një mënyrë krejt tjetër”, u shpreh ajo.
Aktorja zbuloi gjithashtu se prej rreth dhjetë vitesh nuk ndihet plotësisht vetvetja.
“Mendoj se kohët e fundit do të kisha rënë në një gjendje shumë më të errët po të mos ishte dëshira ime për të jetuar për fëmijët e mi”, tha aktorja.