Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Dy kërcënime të rreme për bombë në Prishtinë, Policia: Telefonatat erdhën nga i njëjti numër në Serbi

Gazeta10
30 June 2026 - 18:35

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka zbardhur lidhjen mes dy kërcënimeve të rreme për bombë ndaj Stacionit të Autobusëve në Prishtinë dhe ka arritur të identifikojë gjurmët e autorit të dyshuar, i cili dyshohet se ka vepruar nga Serbia.

Sipas njoftimit zyrtar, mëngjesin e 30 qershorit, rreth orës 07:48, Qendra Operative e Policisë pranoi një telefonatë në gjuhën serbe, përmes së cilës pretendohej rrejshëm se në Stacionin e Autobusëve ishte vendosur një mjet shpërthyes.

Pas alarmit, policia evakuoi qytetarët, siguroi perimetrin dhe angazhoi njësitë e specializuara, përfshirë Njësinë për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësinë K9, hetuesit policorë, zjarrfikësit, autoambulancën dhe Drejtorinë e Emergjencave të Komunës së Prishtinës. Pas kontrolleve të detajuara, nuk u gjet asnjë mjet shpërthyes dhe stacioni rifilloi punën normalisht.

Me autorizim të prokurorit kompetent është iniciuar rasti për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet vazhdojnë.

Policia ka konfirmuar se rasti lidhet drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të 22 qershorit 2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt. Hetimet e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike kanë zbuluar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi, ndërsa janë siguruar edhe prova elektronike që lidhin të dy rastet.

Autoritetet theksojnë se kanë kapacitete të avancuara për hetimin e krimeve kibernetike dhe gjurmimin e komunikimeve kriminale, duke nënvizuar se autorët e telefonatave anonime apo profileve të rreme mund të identifikohen edhe kur veprojnë nga jashtë vendit.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për të identifikuar dhe sjellë para drejtësisë çdo person që tenton të cenojë sigurinë publike, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e dezinformatave dhe të ruajnë qetësinë.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.